Tetë ditë pas lindjes së Shpëtimtarit, prindërit E çuan për ta rrethprerë (Lluk. 2.21), sipas urdhrit që Perëndia i dha Abrahamit, kur i premtoi se do të lidhnin një aleancë të përjetshme me të dhe gjithë pasardhjen e tij: “Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje dhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush, do të rrethpritet” (Gjen. 17.10-12). Ai që nga dashuria pranoi të vishte natyrën njerëzore, të cilën e krijoi, e shfaqi dhembshurinë e Tij derisa dhe e mbajti vetë këtë gjendje të rënë e të prishur.
Me prerjen e kësaj pjese të lëkurës së vdekur, simbol i vdekshmërisë së njerëzve mëkatarë, Ai, i Pari, i Pamëkatshmi, pranoi të merrte shenjën e pajtimit, të cilën, si Perëndi dhe Dhënës i Ligjit, e kishte vendosur vetë. Me ardhjen e Tij në tokë, i nënshtrohet përulësisht Ligjit, duke treguar kështu se ato që u parathanë gjejnë në Të përmbushjen e tyre. Disa pika gjaku që derdhi në këtë ditë ishin preludi i Gjakut që shpejt do të derdhej mbi Kryq, për të larë mëkatet e botës dhe për të na çliruar nga mallkimi; prandaj dhe rrethprerja e Zotit është, në fakt, misteri i plotë i Shpengimit tonë që kremtojmë.
Sot, me rrethprerjen e Adamit të dytë, merr fund rrethprerja në mish e Dhiatës së Vjetër, ndërsa e Reja, e cila shënohet nga një rrethprerje shpirtërore, inaugurohet me gjakun e Tij. Pagëzimi i krishterë është kjo rrethprerje e vërtetë shpirtërore, shenjë e pjesëmarrjes në popullin e ri, jo më me prerjen e një pjese të mishit të vdekur, por me çlirimin nga vdekja vetëm nëpërmjet kungimit në vdekjen dhe në Ngjalljen jetëdhënëse të Zotit.
Për këtë arsye apostull Pavli dhe apostujt e tjerë iu kundërvunë me forcë atyre që donin t’i bindnin të kthyerit që vinin nga paganizmi që të rrethpriteshin (shih Vep. 15.5-30; I Kor. 7.18-19; Gal. 5.2,6; 6.15). “Në të cilin edhe u rrethpretë me rrethprerje që s’bëhet me dorë, duke zhveshur trupin e mëkateve të mishit me anë të rrethprerjes së Krishtit, duke u varrosur bashkë me atë në pagëzim, në të cilin edhe u ngjallët së bashku me anë të besimit të veprimit të Perëndisë, i cili e ngjalli atë prej të vdekurve” (Kol. 2.11-12).
“Sepse në Jisu Krishtin as rrethprerja nuk ka ndonjë fuqi, as parrethprerja, po besimi që vepron me anë dashurie” (Gal. 5.6). Duke i vënë një kufi rregullave të Dhiatës së Vjetër me rrethprerjen e Tij, Krishti na thërret në rrethprerjen e zemrës, në përtëritjen shpirtërore, të cilën e kishte shpallur tashmë me profetët e tij (Jer. 4.4; Rom. 2.25-29).
Gjithashtu, nëpërmjet profecisë, Perëndia kishte urdhëruar Abrahamin të praktikonte rrethprerjen e mishit, kryer pas shtatë ditëve të para të jetës së fëmijës, simbol i tërësisë së zhvillimit të kohës (shih javën e krijimit, Gjen. 1). Dita e tetë përfaqëson kalimin përtej kohës së kësaj bote të vdekshme drejt jetës së përjetshme, që na u hap me Ngjalljen e Zotit të “tetën” ditë të javës, e cila gjithashtu është e para dhe e vetmja ditë e jetës pa fund dhe pa ndryshim. Duke qenë i rrethprerë ditën e tetë pas lindjes, Krishti na lajmëron Ngjalljen dhe çlirimin përfundimtar.
Sipas zakonit, po këtë ditë i dhanë edhe emrin që engjëlli i Perëndisë i kishte dëftuar Josifit (Matth. 1.21; Lluk. 1.31): JISU, d.m.th. Shpëtimtar. Me këtë emër të vetëm u zbulua edhe misioni i Tij mbi tokë, prandaj Perëndia i përjetshëm dhe Krijuesi u bë njeri. Emri JISU përmbledh dhe shpjegon gjithë misterin e Shpëtimit tonë; më shumë se një emër konvencional, ai e bën mistikisht të pranishëm vetë Personin e Shpëtimtarit, në tërë fuqinë e Tij triumfuese. “Prandaj edhe Perëndia e mbilartësoi dhe i fali emër që është mbi çdo emër, që në emrin e Jisuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiej e mbi dhé e nën dhé, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Fil. 2.9-11).
Ashtu siç e tregojnë edhe shembujt e panumërt në Shkrimin e Shenjtë (Shih Vep. 3.6; 4.7,10,30; 10.43; 16.18; 19.13 etj.) dhe në jetët e shenjtorëve, kur Emri i Jisuit kërkohet me besim, kryhen mrekulli, demonët dhe forcat e vdekjes arratisen, si të digjen me zjarrin e Hyjnisë së Tij, ashtu si thotë edhe premtimi: “Edhe ç’të lypni në emrin tim, do ta bëj…” (Jn. 14.13). Prandaj dhe të krishterët orthodhoksë, dëshmitarë të këtij Emri që buron Jetë (Jn. 20.31), duhet të bëjnë gjithçka në emrin e Jisuit: “Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij” (Kol. 3.17).
Duke përsëritur pa pushim në çdo rrethanë dhe në çdo frymëmarrje lutjen e shenjtë: “Zot Jisu Krisht, mëshiromë mua mëkatarin!”, vetë Personi i Zotit tonë do të banojë në mendimet tona, do të frymëzojë sjelljen tonë, do të pastrojë pasionet tona dhe, duke gjetur pak nga pak një banesë të qëndrueshme në zemrën tonë, do të bëjë të shkëlqejë te ne Drita hyjnore e Fytyrës së Tij. Kujtimi i rrethprerjes, ditën e tetë pas Lindjes, është, pra, festa e Emrit të Jisuit dhe e lutjes që na buron Hirin e Shpirtit të Tij të Shenjtë.