
Në kohën e shën Konstandinit të Madh, Liuta, qeveritari i Sofenës, një territor në jugperëndim të Armenisë, ra në dashuri me Mariamën, vajzën e krishterë të qeveritarit të një krahine fqinje, që ndodhej në kufij të Perandorisë Romake dhe asaj Perse. Mariama nuk donte të martohej me një pagan, por, me anë të ndërmjetimit të shën Jakovit të Nisivës (13 janar), prindërit e saj e pranuan këtë martesë. Liuta u pagëzua atë vit për Pashkë, duke iu bindur vizionit të një engjëlli, dhe një pjesë e madhe e popullit të tij përqafoi besimin e krishterë.
Shën Maruthai, i biri i Liutës dhe i Mariamës, u bë një njeri i ditur në çdo degë të dijes, veçanërisht në mjekësi dhe, kur i vdiq i ati, ai e pasoi si qeveritar i Sofenës dhe më vonë u hirotonis edhe episkop i saj.
Me ngjitjen e Jazdegerdit I në fronin e Persisë (399), shën Maruthai u dërgua në oborrin e tij si ambasadori i perandorit roman. Midis shumë mrekullive, ai shëroi mbretin nga një migrenë dhe fitoi përkrahjen e tij. Për rrjedhojë, arriti të siguronte paqe për të krishterët. Jazegerdi donte t’i bënte një dhuratë të madhe në shenjë mirënjohjeje dhe shenjtori i kërkoi trupat e martirëve të shenjtë, që kishin dhënë dëshminë e tyre për Krishtin në Persi gjatë persekutimit të tmerrshëm të Shapurit II (340-379). Lipsanet ishin shumë të vyera dhe shenjtori i dërgoi ato në selinë e vet në Mayerferqat, i cili në atë kohë u bë i njohur si Martiropolis. Disa vite më vonë, ai u kthye në Persi për të marrë pjesë në Sinodin e Seleucisë (410), i cili riorganizoi Kishën e Persisë. Mori pjesë dhe në zgjedhjen e një Katholikosi të ri, dhe nuk reshti kurrë së përkujdesuri për paqen dhe rregullin në Kishën që ndodhej në mbretërinë sasanide.
Magët mazdeanë ishin xhelozë për favorin mbretëror që gëzonte episkopi. Ata fshehën dikë në dhomat e tempullit të zjarrit, kur mbreti po ofronte sakrificën e tij dhe e bënë që ta qortonte gjoja në emër të zotave: “Unë nuk të pranoj ty, sepse ti ke vendosur Maruthain, udhëheqësin e galileasve”. I udhëhequr nga hiri i Perëndisë, Maruthai hyri në tempull dhe e bëri të qartë komplotin, duke hapur tavanin ku ishte fshehur njeriu që fliste. Kur mashtruesi rrëfeu se kishte vepruar sipas porosisë së magjistarëve, mbreti i arrestoi. Ai do t’i kishte vrarë ata së bashku me gratë e tyre, por Maruthai i mëshirshëm ndërmjetoi pranë tij që t’ua kursente jetën. Vetëm 12 prej tyre u dënuan. Mbreti i dha leje episkopit të ndërtonte kisha, sa ai të dëshironte, në mbarë territorin e Persisë dhe u dha të krishterëve lirinë e adhurimit, duke i dhënë vendimeve të Sinodit të Seleucisë fuqinë e ligjeve. Sa i takon Maruthait të bekuar, ai fjeti në paqe në qytetin ku ndodhej edhe katedralja dhe iu bashkua korit të martirëve të shenjtë rreth vitit 420.