
Profeti i shenjtë Naum ishte me origjinë nga Elkoshi i Galilesë dhe i përkiste fisit të Simeonit. Ai jetoi në shekullin e 7-të para Krishtit dhe paratha shkatërrimin e Ninevisë, e cila ishte edhe kryeqyteti i Mbretërisë së Asirisë. Kjo gjë ndodhi në vitin 612 para Krishtit, nga mbreti i medëve. Gjithashtu ai profetizoi edhe restaurimin e mbretërisë së Judesë. Naumi është i shtati nga profetët e vegjël dhe në librin e tij të shkurtër ai përshkruan me ngjyra të gjalla derdhjen e zemërimit të Perëndisë mbi armiqtë dhe mbi popullin e Tij: “Rruga e Tij është në vorbullën e erës dhe në stuhi dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij… Malet dridhen përpara tij, kodrat shkrihen; toka ngrihet në këmbë përpara tij, bota dhe gjithë sa banojnë në të”.
Por profeti shpall edhe mirësinë e Perëndisë, të mbushur plot me dashuri, për të zgjedhurit e tij: “Zoti është i mirë, streha e fortë në ditët e shtrëngimit dhe Ai i njeh ata që kanë besim tek Ai”. Së largu, ai shikon Krishtin, i Cili do të sjellë paqen e përjetshme për njerëzit e Perëndisë: Ja në male janë këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen”.
Emri Naum, do të thotë “ngushëllim” ose “prehje”, në vetvete ishte profetik në lidhje me mëshirën e Perëndisë. Pasi dha dëshminë e tij, profeti i shenjtë fjeti në paqe dhe u varros në dheun e të parëve të tij.
Mbrapa
