Profeti i shenjtë Abakum vinte nga fisi i Simeonit. Ishte bir i Shafatit dhe jetoi rreth 600 vjet para Krishtit. I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ai paratha marrjen e Jerusalemit nga Kaldeasit, internimin në Babiloni, dhe qau hidhur për fatin e popullit rebel ndaj Perëndisë. Kur Nabukodonosori rrethoi Jerusalemin, profeti shkoi tek Osroeni dhe jetoi si i huaj në Arabi, në vendin e Ismaelit. Ai u kthye në Jude vetëm pasi kaldeasit internuan në Babiloni një numër të madh banorësh të Jerusalemit dhe të Egjiptit.

Një ditë, në momentin që në arat e tij bëhej korrja, Abakumi u tha shërbëtorëve të prisnin një moment para se t’u jepnin ushqim korrësve, që të kishte kohë të kryente një porosi në një vend të largët.

Sapo dha këtë urdhër, një engjëll e mori dhe e çoi në Babiloni për t’i dhënë ushqim profetit Daniel në gropën e luanëve (Dan. 6) Ai u kthye në Jude me një mënyrë të mrekullueshme disa momente më vonë dhe u ofroi korrësve të njëjtin ushqim.

Duke mbajtur emrin që paralajmëronte çlirimin final të popullit dhe parathoshte ngjalljen e ardhshme sepse Habakuk ose Abakum do të thotë ati i ngjalljes profeti i shenjtë priste me vigjilencë ardhjen e fjalës së Perëndisë tek ai, duke qëndruar si rojë mbi zemrën e tij (shih Abakum 2:1). Në këtë pikë ai krijoi himnin e tij të bukur që është Ode IV e Kanonit të Mëngjesores. Dhe duke parë shenjat profetike të shfaqjes së pushtetit të Perëndisë nëpërmjet Mishërimit të Tij, ai psal: “O Zot, dëgjova zërin tënd dhe u frikësova; o Zot, kuptova veprat e tua dhe u habita” (Avak. 3:1-2). Ai paratha lindjen e Fjalës, duke përshkruar në mënyrë të mistershme virgjërinë e Perëndilindëses (Hyjlindëses): “ Zoti do të vijë nga Temani dhe i Shenjti nga mali i hijesuar prej pylli” (po aty vargu 3). Duke e përshkruar mishërimin dhe ardhjen e Krishtit, si një ndërhyrje e frikshme kozmike të Perëndisë, i Cili, i zemëruar ndaj armiqve të tij, e bën diellin dhe hënën të ndalojnë rrotullimin e tyre dhe bën që themelet e dheut të dridhen nga frika profeti sheh Zotin që kalëron mbi apostujt e Tij, si mbi kuaj dhe karroca lufte, për të kapërcyer detin, për të mposhtur vdekjen dhe për të shpëtuar popullin e tij. Për këtë arsye, edhe pse i pushtuar nga frika, ai gëzohet në Zotin, Shpëtimtarin e tij, i Cili do të vendosë këmbët e tij mbi shkëmbin e Ungjillit kur do të vijë në fund të jetëve dhe do ta ngrejë bashkë me Krishtin e ngjallur në të soditurit e Perëndisë, që si fitimtar të psalë këngën e tij triumfale në Mbretërinë e përjetshme.

Pas një vegimi, varri i profetit Abakum u zbulua në kohën e perandorit Theodhos në fshatin Kela, afër Eleftheropolit. Në vendin e varrit u ndërtua një kishë dhe përbri një manastir i vogël, ku jetoi shën Epifani (12 maj).




Mbrapa

PayPal