Martirja e shenjtë e Krishtit Miropi lindi në Efes. Në pagëzimin e saj e ëma e dedikoi që të shërbente pranë lipsanit të shën Hermionit një nga katër vajzat e apostull Filipit (4 shtator). Prej trupit të shën Hermionit dilte një miro e lëngshme aromëmirë që bënte mrekulli, gjë që sillte shumë pelegrinë për t’u falur aty.

Kur perandori Decius nisi persekutimin e tij (viti 250), e ëma dhe e bija gjetën strehë në ishullin e Hiosit, ku ia kushtuan veten e tyre lutjes. Por nuk i lanë në paqe, sepse perandori dërgoi në ishull Numeriusin, një guvernator i ri, për të persekutuar të krishterët me më shumë egërsi. Një ushtar që ushqente frikë ndaj Perëndisë, i quajtur Isidor (14 maj), ishte viktima e tij e parë. Atij iu pre koka, pasi iu bënë më parë tortura të frikshme, për ta detyruar të mohonte besimin e krishterë dhe trupin ia flakën në një humnerë, që ta gllabëronin kafshët e egra.

Duke qenë e mbushur përplot me zell të shenjtë dhe duke dashur të nderonte siç duhet martirin e Perëndisë, Miropi, e shoqëruar nga një shërbëtor, shkoi deri në cepin e humnerës dhe, fshehur rojave, mori me vete pjesën e mbetur të trupit të shenjtorit që e varrosi në një vend të bërë gati për këtë qëllim. Numeriusi u tërbua kur mësoi për këtë ngjarje. Ai ndëshkoi rojat dhe u tha atyre të kërkonin kudo në qytet për të gjetur trupin, përndryshe do t’u priste kokat, nëse do të vinin duarbosh.

Miropi u mërzit kur pa ushtarët e dëshpëruar me zinxhirë në duar, të frikësuar për vdekje; ndërgjegjja e saj nuk e linte të qetë. Duke e ndier veten fajtore për ndëshkimin e tyre, ajo shkoi tek ata dhe u tha se e kishte marrë ajo trupin e martirit. Ata e çuan përpara guvernatorit, i cili e mori menjëherë në pyetje, dhe e torturuan. E flakur gjysmë e vdekur në një burg të errët, ajo gjeti përsëri forcën për t’u lutur. Në mes të natës, errësira u ndriçua nga një dritë qiellore dhe martiri i shenjtë Isidori iu shfaq asaj në lavdi në mes të shoqërisë së engjëjve dhe i tha: “Paqe qoftë mbi ty. Perëndia ka dëgjuar lutjet e tua dhe tani do të vish te ne për të marrë kurorën që po të pret”. Pas pak, shenjtorja e dha shpirtin e saj te Perëndia dhe burgu u mbush me një aromë qiellore. Roja që ruante shenjtoren i pa dhe i dëgjoi të gjitha këto, përqafoi besimin e Krishtit dhe mori dhe ai, më pas, kurorën e ndritshme të martirizimit




Mbrapa

PayPal