Pasi qyteti i madh i Damaskut, metropoli i Sirisë, ra në duart e arabëve në vitin 635, të krishterët pësuan shumë të këqija dhe iu hoqën shumë të drejta, për më tepër u paguanin edhe haraç pushtuesve arabë. Në kohën e kalifit Abdyl-Malik (685-705), përgjegjësinë në lidhje me çështjet e të krishterëve e kishte Sergj Mansur, që gëzonte besimin e kalifit dhe që vinte nga një prej familjeve më të njohura të qytetit. Biri i këtij njeriu të sinqertë, që kishte frikë Perëndie, ishte ati ynë i shenjtë Joani, lira e Shpirtit të Shenjtë, që lindi në vitin 675.

Qysh në fëmijëri, ai u mësua të kuptonte se sa të mëdha janë virtytet e dhënies së lëmoshës dhe të veprave të mira, sepse i ati e përdorte pasurinë e tij të madhe për të çliruar robër të krishterë. Joani u rrit në urtësi së bashku me të vëllanë, Kozmain (shih 14 tetor), i cili ishte adoptuar nga Sergji, pasi kishte humbur prindërit e tij. Edukimi i djalit iu besua murgut të ditur italian, Kozmait, të cilin Sergji e kishte çliruar nga arabët duke paguar një haraç. Murgu Kozma i mësoi ata në çdo shkencë të njohur të kohës, si dhe në filozofi. Inteligjenca e tyre e madhe dhe mënyra modeste e të jetuarit i denjësoi të bënin përparim të madh në mësime, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe të muzikës. Kështu, pas disa vjetësh, mësuesi i tyre Kozmai vuri re se ai nuk kishte më se çfarë t’u mësonte djemve dhe mori lejen e largimit nga ati i tyre, dhe u tërhoq në lavrën e Shën Savës, ku donte të jetonte deri në fund të jetës së tij.

Me një njohje të përsosur të arabishtes, si edhe të greqishtes, Joani punoi me të atin në çështjet e administrimit dhe, pas vdekjes së tij, u caktua në vend të të atit nga kalifi Valid (705-15) për shkak të zotësisë së tij të jashtëzakonshme.

Kur Leoni III Isauri (717-41) nisi të persekutonte Kishën e Krishtit në Perandorinë Romake, duke luftuar nderimin e ikonave të shenjta, shën Joani bëri një mbrojtje të fortë të besimit të vërtetë, nëpërmjet letrave të tij që i dërgonte nga Damasku ndër njerëz të ndryshëm, me të cilët kishte korrespondencë brenda perandorisë. Në këto letra, ai shtjelloi bazën theologjike të nderimit të ikonave, sikundër përcaktohet në Shkrimin e Shenjtë dhe në shkrimet e Etërve të Kishës. Në këtë mënyrë fitoi urrejtjen e Leonit, i cili u përpoq ta mënjanonte duke dhënë urdhër të shkruhej një letër e rremë, gjoja e dërguar nga Joani tek ai, ku ai i kërkonte perandorit të pushtonte sa më shpejt Damaskun. Letra iu tregua kalifit, i cili, shumë i zemëruar, urdhëroi që këshilltarit të tij t’i pritej dora e djathtë. Atë natë, shën Joani e vendosi dorën e tij të prerë përpara ikonës së Hyjlindëses dhe i lutej me lot Zonjës së botës, që t’ia kthente përsëri në gjendjen e mëparshme. Pasi ra në një gjumë të lehtë, ai pa ikonën teksa po bëhej e gjallë dhe dëgjoi Nënën e Zotit, Hyjlindësen, që po e ngushëllonte. Kur u zgjua, u mrekullua. Dora ishte rivendosur në krahun e tij. Që nga ai çast, dorën e tij ia përkushtoi Hyjlindëses dhe lavdërimit të saj bashkë me atë të Shpëtimtarit tonë, si edhe mbrojtjes së besimit orthodhoks. Ai hoqi dorë nga pozita në administratë, ndau pasurinë e tij dhe shkoi në Jerusalem me Kozmain për t’u bërë murgj në lavrën e Shën Savës.

Igumeni i lavrës ia caktoi Joanin një jerondi të virtytshëm, por që ishte i rreptë dhe kërkues. Ai ia ndaloi nxënësit të tij të merrej me gjëra që lidheshin me filozofinë, shkencën, poezinë, himnin, kompozimin dhe shkrimin, dhe e ngarkoi të merrej me punët më të thjeshta fizike, që të përparonte në bindje dhe në përulësi. Një ditë, Joani, duke lënë mënjanë mësimet e drejtuesit të tij shpirtëror, kompozoi një himn që ia kërkoi si ngushëllim një miku i tij, i cili sapo kishte humbur një të afërm. Ky himn psalet ende dhe sot. “Gjërat njerëzore janë kotësi” (Psalet në Shërbesën e Varrimit). Kur jerondi e mori vesh këtë mosbindje, e urdhëroi të mblidhte me dorë të gjitha ndotjet e lavrës dhe ai e bëri këtë bindje pa thënë asnjë fjalë. Por, disa ditë më vonë, Hyjlindësja iu shfaq jerondit dhe i kërkoi ta lejonte nxënësin e tij të kompozonte himne dhe poezi, bukuria dhe ëmbëlsia e të cilave ishin të jashtëzakonshme.

I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, Joani, si një harpë zëëmbël, u dha melodi shumë të harmonishme një numri të madh himnesh që përmbajnë mendimet më të thella theologjike të Etërve të Kishës. Ai shkroi kanonin që psalim në Pashkë dhe kompozoi pjesën më të madhe të himneve të Oktoikut, në nderim të Ngjalljes. Ai gjithashtu është autori i shumë himneve sublime dhe i kanoneve për nder të të kremteve të Zotit, të Hyjlindëses dhe të shenjtorëve.

Së bashku me dhuratat poetike, Perëndia i dha hirin që të shprehte theologjinë. Duke mos iu shtuar asgjë dogmave dhe doktrinave të shprehura nga etër më të hershëm, si shën Grigor Theologu, shën Vasili i Madh, shën Joan Gojarti, shën Grigori i Nisës dhe shën Maksim Konfesori, shën Joan Damaskini në një vepër të tij të ndarë në tri pjesë, që titullohet “Burimi i Dijes”, ku parashtron gjërat esenciale të besimit të krishterë me një saktësi të mahnitshme dhe qartësi shprehjeje, saqë e tërë vepra mund të karakterizohet si vula dhe kurora e lavdisë së frymës patristike.

Pjesa e tretë, “Rreth besimit orthodhoks”, përbën një vepër të rëndësishme të traditës së krishterë, duke shërbyer për orthodhoksët si burimi më i sigurt për gjithçka që ka lidhje me dogmat e besimit. Joani i shfaqi si jo të vërteta falsifikimet e herezive, të cilat ndodhen në të majtë dhe në djathtë të rrugës së mesme, të asaj mbretërore, d.m.th. të doktrinës së drejtë, e cila me vërtetësinë e saj të çon lart në qiell. Veçanërisht i fortë ai ishte në mbrojtje të ikonave të shenjta dhe në betejën kundër ikonoklastëve. Në tri traktate të gjata, të hartuara midis viteve 726 dhe 730, ai tregon qartësisht themelet e forta dhe nevojën e nderimit të ikonave dhe të lipsaneve të shenjta, sepse kjo është një shpallje e realitetit të Mishërimit të Fjalës së Perëndisë dhe e hyjnizimit të natyrës njerëzore në personat e shenjtorëve. Pasi fitoi urtësi të vërtetë, nëpërmjet përulësisë dhe qëndrueshmërisë në përpjekjet asketike, filozofi i Shpirtit të Shenjtë fjeti me paqe në Zotin më 4 dhjetor të vitit 749 (ose 753). Shpella ku ai kaloi disa kohë si eremit nderohet edhe sot në manastirin e Shën Savës dhe përbën vend pelegrinazhi deri në ditën tona.




Mbrapa

PayPal