
Martirët e shenjtë Guria dhe Samonai ishin priftërinj në krahinën e Edesës, kur perandori Dioklecian nisi persekutimin e madh (303). Të akuzuar se ndihmonin të krishterët nëpër burgje dhe se u jepnin zemër besimtarëve që t’i kundërshtonin kërcënimet dhe të qëndronin të fortë në besim, ata i nxorën para qeveritarit, i cili u përpoq t’i bindte që të mohonin fenë e tyre. Por të dy rrëfyesit refuzuan, duke thënë: “Nuk e tradhtojmë Perëndinë e vetëm që është në qiell, nuk përkulemi para një imazhi të bërë me dorë njeriu. Adhurojmë Krishtin Perëndi, që nga mirësia na shpëtoi nga faji; Ai është drita jonë, mjeku dhe jeta jonë”.
Qeveritari i akuzoi se u rebeluan kundër urdhrave të perandorit dhe i kërcënoi se, nëse këmbëngulnin, do t’i linte të vdisnin në tortura të tmerrshme. “Nuk do të vdesim, siç thua, por do të jetojmë, sipas besës sonë, nëse bëjmë vullnetin e Atij që na krijoi, u përgjigjën ata. Nuk na trembin torturat. Për pak janë dhe kalojnë pa lënë gjurmë. U druhemi mundimeve të përjetshme që janë ruajtur për të pabesët dhe mohuesit. Perëndia ynë do të na ndihmojë të durojmë torturat që nuk zgjasin shumë dhe pastaj do të zhduken, kur shpirti të lërë trupin”. I tërbuar nga këto fjalë, qeveritari dha urdhër t’i burgosin me priftërinjtë dhe dhjakonët e tjerë.
Disa ditë më vonë, i nxorën nga burgu dhe i varën për pesë ditë nga një dorë. Meqë nuk nxorën zë gjatë torturave dhe fjalëve të xhelatëve u përgjigjeshin me një shenjë mohimi të kokës, i hodhën në një birucë që quhej “vrima e errët”, ku ndenjën për tre muaj e gjysmë në errësirë të plotë, pothuajse pa pirë e pa ngrënë.
Kur i nxorën përsëri para gjyqit, ata treguan të njëjtën vendosmëri dhe i thanë qeveritarit: “E thamë se besimi dhe fjala jonë nuk ndryshojnë: bëj ç’të ka urdhëruar perandori. Ke pushtet mbi trupat tanë, por jo mbi shpirtrat.” I varën nga këmbët, por ata vazhduan t’i luteshin Perëndisë t’u jepte durimin e patriarkëve, të profetëve, të apostujve dhe të martirëve që vuajtën më parë për të Vërtetën.
Përfundimisht, vendimi i vdekjes u dha më 15 nëntor. Ushtarët morën Samonain, të cilit i kishin thyer kupat e gjurit, dhe e çuan në gjyq, edhe Gurian e mbanin për shkak të moshës së tij. Kur dëgjuan vendimin, fytyra iu ndriçua nga gëzimi dhe thanë: “Jemi më të mjerët e njerëzve. Nuk e meritojmë të llogaritemi me të drejtët dhe të krahasohemi me ta. Por fjala e mësuesit tonë na ngushëllon: Ai që humb jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë (Matth. 10.39). Lavdi Jisu Krishtit që na gjykoi të denjë të durojmë mundime për emrin e Tij”. Para se t’u prisnin kokat, xhelati u tha: “Lutuni për mua, ju përgjërohem, sepse po bëj keq para Perëndisë”. Samonai dhe Guria ranë në gjunjë, të kthyer drejt lindjes dhe iu drejtuan Perëndisë duke thënë: “Atë i Zotit tonë Jisu Krisht, prano shpirtrat tanë dhe ruaji trupat tanë për ngjalljen.” Ulën qafën para xhelatit dhe ua prenë kokat njëri pas tjetrit.
Kur populli i qytetit mori vesh ekzekutimin e dy martirëve, vrapoi për në vendin e ngjarjes për të marrë trupat dhe mblodhën edhe pluhurin që thithi gjakun e tyre. U varrosën me temjan, erëra të mira, psalme e këndime që ofroheshin për lavdi të Perëndisë, i Cili kishte dëftuar forcën e Vet në këmbënguljen e martirëve.
Shën Habibi ishte dhjak në kohën kur Liciniusi, pas Dioklecianit, shpalli një përndjekje të re kundër të krishterëve (309). Shkonte fshehtazi nëpër fshatrat e Edesës, për të mbledhur besimtarët në kishë, u lexonte Shkrimet dhe i nxiste të ngulmonin në të vërtetën e besës. Kur e mori vesh qeveritari, Lisani, u inatos dhe nisi të kërkonte dhjakun. Nuk arriti ta gjente, ndaj kapi familjen dhe njerëzit e fshatit të tij. Kur Habibi e mësoi këtë lajm, u nis për në Edesë dhe u dorëzua te komandanti i gardës së qeveritarit. Ky i fundit u përpoq ta bindte që të largohej fshehurazi, duke i thënë se familja e tij nuk rrezikonte asgjë, por shenjti këmbënguli, i bindur se vullneti i Perëndisë ishte të martirizohej.
Kur e morën në pyetje, Habibi u tregua i vendosur dhe i përbuzi idhujt, prandaj dhe qeveritari e kamxhikoi pa mëshirë. Disa ditë më vonë, e paraqitën para Lisanit. E varën dhe i shqyen mishin, duke ia çarë me krehër hekuri. Kërcënimeve të reja dhe të tmerrshme, shenjti iu përgjigj: “Këto vuajtje ma forcojnë më tepër vullnetin, si pema që ujitim dhe jep frut.” Duke parë pafuqinë e tij, tirani i tha: “Feja jote të mëson të urresh trupin tënd dhe të gjesh kënaqësi në vuajtje?” – “Nuk i urrejmë trupat tanë, u përgjigj Habibi, por gëzohemi duke parë realitetet e padukshme, të vërtetuara nga ky premtim që vuajtjet e kësaj jete nuk janë asgjë para lavdisë që është ruajtur për ata që duan Krishtin (Rom. 8.18)”. Meqë vdekja nga shpata i dukej e ëmbël, qeveritari urdhëroi ta digjnin me zjarr të ngadaltë. E morën për ta vrarë, duke e tërhequr me një rrip që ia kishin lidhur në gojë. E ëma i shkonte nga pas, e veshur me të bardha si për ditë feste. Kur arriti në vendin e ekzekutimit, Habibi u lut, pastaj u kthye duke bekuar turmën që kishte ardhur për ta shoqëruar dhe që e uroi shenjtin të gjente paqen. Kur zjarri nisi të kërciste, ai hapi gojën dhe dha shpirt përnjëherë.
Të krishterët e nxorën nga zjarri, e vajosën dhe e lyen me erë të mirë. Trupi i tij i shenjtë u varros në të njëjtin varr ku ishin vendosur edhe Guria me Samonain.