Sipas planit të parajetshëm të Perëndisë, që donte të përgatiste një banesë shumë të pastër për t’u mishëruar dhe të jetonte midis njerëzve, Joakimi dhe Ana ishin penguar të kishin pasardhës. Pasi mbërritën të dy në një moshë të thyer dhe ishin pa fëmijë, duke simbolizuar natyrën njerëzore që ishte kërrusur dhe tharë nën peshën e rëndë të mëkatit dhe të vdekjes, ata nuk reshtnin së luturi Perëndinë që t’i çlironte nga turpi i shterpësisë. Kur mbërriti koha e përgatitjes, e caktuar sipas vullnetit të Perëndisë, ai dërgoi Kryeengjëllin Gavriil te Joakimi, i cili ndodhej i tërhequr mbi një mal, dhe tek Ana, e cila qante për fatkeqësinë e saj në kopshtin e shtëpisë. Ai u bëri të ditur se do të përmbusheshin tek ata profecitë e thëna në kohë të lashta dhe se do t’u lindte një fëmijë, i caktuar që të bëhej Arka e vërtetë e Besëlidhjes së Re, Shkalla qiellore, Ferra që nuk digjej nga flaka, Mali i paprerë, Tempulli i gjallë ku do të banonte Fjala e Perëndisë.
Në këtë ditë, nëpërmjet zënies së shën Anës, merr fund tërë shterpësia e natyrës njerëzore, e ndarë nga Perëndia, për shkak të vdekjes. Dhe me anë të lindjes fëmijë në mënyrë të mbinatyrshme, nga ajo që kishte mbetur shterpë deri në moshën ku gratë nuk mund të lindin dot më, Perëndia lajmëronte dhe vërtetonte mrekullinë më të mahnitshme të zënies së pafarshme dhe të lindjes së panjollë të Krishtit, në gjirin e Hyjlindëses së Tërëshenjtë dhe Virgjëreshës Mari.
Edhe pse ishte lindur me anë të një ndërhyrjeje të mrekullueshme të Perëndisë, e Tërëshenjta Mari u zu me anë të bashkimit të burrit dhe të gruas sipas ligjeve të natyrës sonë njerëzore, e cila ishte rrëzuar dhe i ishte nënshtruar vdekjes, pas mëkatit të Adamit (shih Gjen. 3:16). Enë e zgjedhur, tempull i shenjtë që përgatiti Perëndia para jetëve, Hyjlindësja është përfaqësuesja më e pastër dhe më e përsosur e njerëzimit, por nuk u çlirua nga trashëgimia jonë e përbashkët dhe nga pasojat e mëkatit të stëretërve tanë të parë. Sikundër duhej që Krishti, në mishërimin e Tij, të bëhej i ngjashëm me njerëzit në gjithçka, përveç mëkatit, për t’i çliruar nga vdekja me anë të vdekjes së Tij të vullnetshme (shih Hebr. 2:14), njësoj duhej që edhe nëna e Tij, në gjirin e së cilës Fjala e Perëndisë do të bashkohej me natyrën tonë njerëzore, të ishte në gjithçka e ngjashme me ne. Ajo duhej t’i nënshtrohej vdekjes dhe prishjes, pa bërë asnjë përjashtim në këtë, për të na përfshirë të gjithë ne bijtë e Adamit në misterin e Shpëtimit dhe të Çlirimit. Nëna e Zotit është zgjedhur midis grave, jo në mënyrë arbitrare, por sepse Perëndia e parapa se ajo do të dinte të ruante në mënyrë të përsosur pastërtinë e saj, që të ishte e denjë për ta pritur. E zënë dhe e lindur njësoj si të gjithë ne, ajo u bë e denjë të jetë Nëna e Birit të Perëndisë dhe nëna e të gjithëve. E dhembshur dhe mëshiruese, ajo mundet të ndërmjetojë për ne te Biri i saj, që të na mëshirojë.
Si Zoti ynë Jisu Krisht ishte pema e virgjërisë së saj, ashtu edhe Nëna e shenjtë e Zotit ishte, për sa i takon asaj, fryti i dëlirësisë shpirtërore i Joakimit dhe i Anës. Dhe duke ndjekur këtë udhë të pastërtisë, edhe ne, murgj dhe të krishterë të urtë, bëjmë të lindë dhe të rritet brenda nesh Shpëtimtari Krisht.