Profetesha e shenjtë Ana jetonte në fshatin e Ramatajimit (ose Aramathaim, ose Ramah) në malin e Efraimit. Ajo ishte një nga dy gratë e një burri të quajtur Elkuana, të cilës Perëndia nuk i jepte fëmijë. Rivalja e saj, që kishte lindur bij dhe bija, e përbuzte dhe e turpëronte, duke ia rikujtuar faktin se ajo nuk lindte fëmijë, çdo vit kur familja shkonte në Silo, përpara Arkës së Besëlidhjes, për të adhuruar dhe për të ofruar sakrifica te Zoti. Por ajo nuk humbte kohë dhe ruante me përpikëri porositë dhe urdhrat e Zotit, duke shpresuar në mëshirën e Tij.
Një ditë, pas sakrificës, ajo u kthye duke qarë në tempull, për t’i drejtuar Zotit një lutje të nxehtë dhe u betua se, nëse Perëndia do t’i falte një fëmijë, ajo do t’ia përkushtonte shërbimit të Tij. Pas një kohe të gjatë, lutja e saj u dëgjua nga Perëndia, ndërsa ajo po lutej me përkushtim të madh, duke lëvizur vetëm buzët, pa nxjerrë zë, saqë prifti Eli mendonte se ishte e dehur. Perëndia, përpara një lutjeje të tillë, nuk e vonoi mëshirën e Tij dhe i fali një bir, megjithëse ajo ishte në moshë të thyer, për të bërë të ditur lindjen e Virgjëreshës Mari nga një grua tjetër që nuk lindte, nga shën Ana.
Ajo lindi një djalë që e quajti Samuel (i kërkuar te Perëndia) dhe, pasi mbeti shtatzënë, ia përkushtoi Zotit, duke i kushtuar Atij edhe këtë këngë të famshme me theks profetik: “Zemra ime do të jetë e fortë në Zotin, balli im do të lavdërohet në Perëndinë tim; goja ime do të çelet kundër armiqve të mi, do të ngazëllehem në shpëtimin.
Sepse nuk ka të shenjtë tjetër si Perëndia im, nuk ka të drejtë si Perëndia dhe nuk ka të shenjtë, përveç teje, o Zot…. Zoti bën që të vdesë dhe të jetojë dikush, Ai e bën dikë të zbresë në ferr dhe e rimerr përsëri…. Zoti është ngjitur në qiell dhe ka lëshuar bubullimë; “ai vetë do të gjykojë lartësitë e tokës, sepse është i drejtë” (1 Mbretërit 2:2-10).
Pas kësaj, kur ata po ngjiteshin të gjithë familjarisht në Silo për sakrificën, Ana i çoi një mantel të birit, Samuelit, i cili shërbente në altar. Prifti i madh Eli e bekoi, sepse ajo ia kishte përkushtuar Perëndisë birin e saj të vetëm dhe Ai i dha përsëri mëshirën e Tij, duke e bekuar edhe me 3 djem dhe 2 vajza, me gjithë moshën e saj të thyer. Ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës duke lavdëruar Perëndinë dhe fjeti në paqe.