Shën Juliana ishte bijë e një çifti pagan fisnikësh të famshëm të Nikomedisë, nën mbretërimin e mizorit Maksimian (286-305). Prindërit e saj e fejuan me njëfarë Elefsi të rangut senatorial, i cili, ngaqë kishte rënë në dashuri të zjarrtë me të, nuk donte ta shtynte dasmën më tej. Por zemra e Julianës ishte pushtuar nga dashuria për Zotin tonë Jisu Krisht, dhe dëshironte të kalonte tërë jetën e saj në pastërti dhe pa shpërqendrime për hir të Dhëndrit qiellor, prandaj nuk i pranoi këto propozime. Ajo hiqej si tekanjoze, thoshte se do të martohej me Elefsin, nëse ai do të bëhej prefekt i kryeqytetit të Bitinisë.
Me gjithë vështirësitë, ky i fundit iu vu menjëherë punës: shpenzoi shumë ar dhe u bë në të vërtetë prefekti i Nikomedisë, e pas kësaj kërkoi përsëri dorën e Julianës. E detyruar të zbulonte të vërtetën, e fejuara e Krishtit i tha: “Nëse ti nuk braktis kultin e idhujve dhe nuk bën pjesë në fenë e krishterë, që dhuron jetën e përjetshme, kurrë nuk kam për të të pranuar që të martohem me ty”. E palëkundur në vendimin e saj, me gjithë lutjet e prindërve, ajo iu dorëzua autoriteteve, si dishepulle e fesë së ndaluar dhe u çua përpara prefektit. Mëtuesi i saj, u bë tani gjykatësi dhe torturuesi, dha urdhër ta zhvishnin dhe ta torturonin.
Pasi e kamxhikuan në të gjithë trupin, e varën nga flokët sa iu shkul lëkura e kokës. Djalli iu shfaq në burg, me pamjen e një engjëlli të Perëndisë, që t’i propozonte të nënshtrohej dhe t’u sakrifikonte idhujve. Por shenjtorja e Perëndisë, e armatosur me lutje, i hoqi maskën këtij mashtrimi të djallit dhe gjeti fuqi të ripërtërira për të vazhduar përpjekjen e saj shpirtërore.
Pasi e nxorën nga burgu për ta marrë përsëri në pyetje, e çuan drejt një mangalli të madh, ku kishin bërë gati zift plot me plumb të shkrirë për ta zhytur. Por vendosmëria e vajzës së re ishte aq e palëkundur, besimi i saj aq i madh, dashuria për Krishtin aq shumë e zjarrtë, më e zjarrtë se çdo dashuri tokësore, saqë shpirti i saj i transmetoi trupit pak nga mosprishja që u është premtuar të zgjedhurve për jetën e përjetshme. Jo vetëm që nuk pësoi asnjë dëmtim, por, kur ajo e preku, zifti u ça dhe plumbi u përhap mbi rojat.
Para këtyre mrekullive, një numër i madh paganësh, 500 burra dhe 130 gra, lavdëruan fuqinë që Perëndia u fal shenjtorëve të tij, pohuan emrin e Krishtit, ndaj dhe u prenë menjëherë kokën, me urdhër të prefektit. Në fund ia prenë kokën edhe Julianës, duke ia dërguar kështu shpirtin me gëzim drejt banesave të shenjtorëve. Ajo ishte 18 vjeçe, kur kremtoi në këtë mënyrë martesën e saj me Krishtin.