Kur Kiri, mbreti i Persisë, mori pushtetin në perandorinë e Babilonisë (539 përpara Krishtit), Perëndia e nxiti të kthente në atdhe judenjtë që ishin mbajtur robër nga marrja e Jerusalemit (586), për të ndërtuar tempullin nën drejtimin e Zorobabelit, guvernatorit të Judesë, dhe të kryepriftit Jose. (Libri i Ezdras). Sapo u kthyen në qytetin e shenjtë, ata që shpëtuan ringritën kultin, sipas urdhërimeve të Ligjit dhe nisën punimet. Por, të dekurajuar nga kundërshtimet dhe kërcënimet e popullsive që i rrethonin, i ndërprenë punimet deri në mbretërimin e Darit. Profetët e shenjtë, Agjeu dhe Zaharia (8 shkurt), u frymëzuan nga Perëndia për të zbuluar se judenjtë duhet të vazhdonin punën e tyre. Agjeu, duke qenë me origjinë nga fisi priftëror i Levit, lindi në Babiloni dhe kishte shoqëruar judenjtë e parë që u kthyen në Jerusalem.
Nën frymëzimin e Perëndisë, ai iu drejtua Zorobabelit, Joseut dhe të gjithë popullit (midis muajve gusht e shtator të vitit 520), për t’u bërë të ditur se thatësira, nga e cila po vuanin keq, ishte e dërguar nga Ai për t’i ndëshkuar, ngaqë kishin braktisur rindërtimin e tempullit. Me anë të gojës së profetit Daniel, Perëndia paratha se ai do të banonte në tërë lavdinë dhe shkëlqimin e tij në këtë banesë, simbol i Tempullit shpirtëror dhe të përjetshëm, i Kishës, Trupit të Krishtit.
Duke i nxitur judenjtë që të rifillonin punën, profeti u drejtohet edhe atyre që janë të shpëtuarit e Dhiatës së Re, të krishterëve: “Ngjituni në mal, sillnin drurë dhe rindërtoni banesën; unë do të vë tek ajo pëlqimin tim dhe do të shfaq lavdinë time” (Agjeu. 1:8). Por, në vend të gurëve, të shtyllave dhe të go- zhdëve, janë këto që e përbëjnë atë: ndërgjegjja e tyre, shpirti, fryma dhe zemra, të cilat përdoren si gurë të gjallë për ndërtimin e tempullit shpirtëror të Kishës (shih 1 Petr. 2:5).
Pasi profetizoi trazirat e mëdha të botës, të cilat do të paraprinin vendosjen përfundimtare të lavdisë së Perëndisë në tempullin e tij të restauruar “Ja edhe pak dhe do ta tund qiellin dhe dheun, detin dhe tokën. Do të trondit mbarë kombet, atëherë do të dynden thesaret e të gjitha kombeve dhe do ta mbush këtë tempull me lavdi” (Agj. 2:7), profeti i shenjtë Agjeu i drejtohet Zorobabelit, si një ikonë e Mesisë që do të vinte, për të paratreguar faktin se është Ai, Krishti, që Ati e ka pëlqyer dhe e ka bërë një vulë për të bashkuar të gjitha gjërat qiellore dhe tokësore në të dhe për t’i vulosur me vulën e Tij.