Lindur në Romën e vjetër në gjirin e një familjeje të krishterë, shën Zotiku iu besua mësuesve më të mëdhenj të kohës dhe përparoi shumë në virtyt. Për këtë arsye, sapo kishte kapërcyer adoleshencën, u caktua nga perandori Konstandini i Madh për të qenë një prej bashkëpunëtorëve të tij në themelimin e kryeqytetit të ri në Bizant, qytet që do t’ia kalonte të gjitha qyteteve të tjera, sa i takon madhështisë (u inaugurua në maj 330).

Ndërsa shpërtheu një epidemi lebre, sovrani dha urdhër të dëbonin nga qyteti ose të hidhnin në det të gjithë ata që i kishte prekur lebra, pa bërë dallim për origjinën e tyre, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të saj. I pushtuar nga dhembshuria, shën Zotiku shkoi në pallat dhe i kërkoi perandorit t’i jepte një sasi të madhe ari “që të blinte perla dhe gurë të çmuar për të ngritur më lart lavdinë e Madhërisë Suaj, meqë kam përvojë të madhe në këto punë” siç i tha vetë shenjtori atij. Pasi mori ar aq sa i nevojitej, falë këtij marifeti të shenjtë, Zotiku e përdori për të blerë gurë të vërtetë të çmuar dhe shkonte qytet më qytet për të lehtësuar të sëmurët e shumtë e duke blerë ata që i çonin drejt mbytjes ose internimit. Ai i çonte në numër të madh në kodrën e Ullinjve, që ndodhet në anën tjetër të Bosforit, ku kishte ndërtuar tenda dhe kasolle të bëra me gjethe dhe u ofronte me dashuri përkujdesje dhe ngushëllim.

Kur Konstanci, partizan i herezisë së Ariosit, u ngjit në fron pas vdekjes së të atit (337), ai nisi të persekutonte mbrojtësit e Orthodhoksisë. Oborrtarët, që ishin xhelozë për privilegjet e Zotikut, gjatë mbretërimit të mëparshëm, përfituan nga rasti për ta akuzuar atë pranë perandorit se kishte mendime të kundërta me të tijat dhe se shpërdoronte paranë e shtetit duke u kujdesur për lebrozët. Shpifjet e tyre u dyfishuan kur, përveç lebrës, një zi e tmerrshme buke ra mbi Romën e Re. Sipas tyre, Zotiku ishte përgjegjësi i tërë atyre të këqijave. Duke i paraprirë vendimit të Konstancit, i lumuri u shfaq vetë përpara tij, i veshur me një veshje të shkëlqyeshme, e i propozoi atij të shkonin së bashku për të parë gurët e çmuar që ai kishte blerë.

Kur mbërritën në këmbët e kodrës, Konstanci pa të vinin drejt tij, në një procesion të rregullt, një turmë e madhe lebrozësh, duke mbajtur të gjithë nga një copë qiri në duar dhe në krye të tyre ishte e bija, e cila, e prekur nga lebra, kishte shpëtuar prej mbytjes, falë përpjekjes së Zotikut. Pyetjes së perandorit, shenjti iu përgjigj: “Ata që po vijnë drejt teje janë gurët e çmuar që i japin shkëlqim diademës mbretërore qiellore që ti do të fitosh për trashëgimi, me anë të lutjeve të tyre, o imzot. Këto i kam blerë për të të ndihmuar ty në shpëtimin e shpirtit tënd.

Në vend që të gëzohej, ati dhe tirani i pamëshirshëm u pushtua nga një zemëratë e dhunshme e, për pasojë, i urdhëroi ushtarët ta kapnin Zotikun dhe ta tërhiqnin pas mushkave të egra, që trupi i tij të bëhej copa-copa. Të ngacmuara nga xhelatët, mushkat morën të tatëpjetën, duke tërhequr zvarrë, midis gurëve, gjembave dhe shkurreve trupin e të lumurit. Kur mbërriti në kishën e Shën Pandelejmonit, atij i shkulën syrin e djathtë dhe një burim ujërash të mrekullueshme buroi menjëherë në atë vend, pastaj mushkat kthyen rrugën dhe shkuan deri në majë të kodrës, e qëndruan aty të palëvizura si për të nderuar trupin e pajetë të shenjtorit.

Ndërsa xhelatët po i shponin që të vazhdonin rrugën e tyre, ato papritur folën me fjalë njerëzore, njësoj si dikur gomarica e Valaamit (Numrat 22: 28-30) dhe thanë se trupi i tij duhej të varrosej aty mbi kodër. I habitur, perandori u pendua për sjelljen e tij dhe e varrosi me nderime trupin e martirit të shenjtë dhe urdhëroi të ndërtohej një spital për përkujdesjen e lebrozëve. Për shumë shekuj, këta fatkeqë morën atje, jo vetëm ndihmën e shkencës njerëzore, por një numër i madh mes tyre u shëruan në mënyrë të mrekullueshme me anë të lutjes së shën Zotikut, të cilin e nderonin si themeluesin e institucioneve të bamirësisë të kryeqytetit të Bizantit.




Mbrapa

PayPal