Gjatë persekutimit të Dioklecianit, një vajzë e re, e quajtur Luçia, nga qyteti i Sirakuzës në Sicili shkoi bashkë me nënën e saj për të vizituar varrin e shën Agathisë në Katania, sepse e ëma ishte e sëmurë rëndë nga një sëmundje e pashërueshme gjaku. Pasi u iu lut nxehtësisht shenjtores për shëndetin e së ëmës, Luçia dremiti për një çast dhe pa Agathinë që iu shfaq në ëndërr duke i thënë: “Luçia, motra ime, përse më kërkon mua atë që mund ta fitosh fare mirë me anë të besimit tënd? Nëna jote u shërua. Ti së shpejti do të jesh lavdia e Sirakuzës, siç unë jam lavdia e Katanias”. Kur u kthyen në shtëpi, Luçia ia përkushtoi Zotit virgjërinë e saj duke marrë për këtë edhe miratimin e së ëmës dhe prishi fejesën me një djalë nga një familje e mirë. Ajo shiti pjesën e pasurisë së saj të patundshme bashkë me gurët e çmuar, për t’ua ndarë të varfërve gjë që e çmendi fare ish të fejuarin e saj, i cili nuk ngurroi ta denonconte si të krishterë te Paskasios, guvernatori i Sirakuzës.
Duke u treguar e palëkundur gjatë gjykimit e duke dashur të shkonte sa më shpejt pranë Zotit, Luçia i tha guvernatorit: “Meqë nuk kam më asgjë tjetër për të blatuar, ofroj veten time si një blatë të gjallë te Perëndia i Plotfuqishëm. Falë teje, që na torturon për t’i pëlqyer perandorit, ne po fitojmë një gëzim të madh e të përjetshëm”.
Guvernatori i pamëshirshëm iu tha ushtarëve ta tërhiqnin zvarrë me kanxha, po shenjtorja, porsi një shkëmb i fortë, nuk lëvizi nga vendi. Atëherë ata u përpoqën ta tërheqin me litarë madje përdorën edhe buajt që ta lëviznin, por nuk arritën të bënin dot gjë. Guvernatori i dëshpëruar e pyeti se çfarë lloj magjish po përdorte, dhe Luçia iu përgjigj: “Nuk përdor magji; është pushteti i Perëndisë që ndodhet brenda meje, që po kryen këtë mrekulli”. “Po të doni sillni edhe mijëra veta, por përsëri nuk do t’ia dilni mbanë të bëni diçka kundër meje, nëse kështu i pëlqen Perëndisë”. Ata ndezën një zjarr përreth saj, por edhe ky nuk solli ndonjë dëmtim për shenjtoren. Në fund fare ia prenë kokën me shpatë dhe shenjtorja e dorëzoi shpirtin te Zoti, duke parashikuar me frymën e saj të fundit paqen e Kishës dhe fundin e perandorëve tiranë Maksimian dhe Dioklecian.
Mbrapa