Pas Pentikostisë dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt, ishin të shumtë ata që nisën të konvertohen, të bindur prej fjalëve të zjarrta të apostujve dhe nga mrekullitë e tyre. Sapo u bënë anëtarë të Trupit të Krishtit me anë të Pagëzimit të Shenjtë, besimtarët braktisën të mirat e tyre për t’u dhënë çmimin e tyre apostujve dhe duke u shkëputur nga çdo lidhje me jetën e botës, ata bënin një jetë të përbashkët, duke pasur një zemër dhe një shpirt të vetëm. Pasi kryenin me zell detyrimet e tyre fetare në Tempull, mblidheshin në veçanti për të ndjekur mësimin e Apostujve, për të lavdëruar Zotin Jisu Krisht dhe për të marrë pjesë me gëzim të madh në banketin e jetës së përjetshme, Eukaristinë e Shenjtë, vula e kungimit të tyre me Perëndinë dhe i dashurisë së tyre të ndërsjellë (shih Veprat 2:42-47; 5:32-34).

Ndërsa besimtarët shtoheshin pa pushim, të Dymbëdhjetët vendosën të caktojnë shtatë vëllezër, të vlerësuar nga të gjithë për urtësinë dhe të mbushur plot me Shpirtin e Shenjtë, për të lehtësuar në kujdesin material komunitetin e të krishterëve. Kjo veçanërisht në shërbimin e vëllezërve gjatë ngrënies së ushqimit që bëhej në bashkësi dhe gjatë ndihmës për vejushat dhe njerëzit e varfër, kështu që apostujt të kishin kohën e nevojshme për t’iu përkushtuar lutjes dhe mësimit. Këta shtatë dhjakonë, të cilëve apostujt u vendosën sipër kokës dorën, ishin: Stefani, Filipi, Prohori, Nikanori, Timoni, Parmenasi dhe Nikolla (Veprat 6:1-6). Aktiviteti i Stefanit, që ishte kreu i tyre, u shtri përtej ndihmesës materiale të komunitetit. I mbushur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, duke kryer kështu mrekulli dhe duke folur me autoritetin e të dërguarve të Perëndisë, ai admirohej nga të gjithë në një pikë të tillë, saqë judenjtë, të tërbuar që nuk mund t’u jepnin përgjigje argumentimeve të tij, e akuzuan se kishte bërë blasfemi dhe komplot kundër institucioneve të Ligjit dhe e çuan përpara Sanhredinit, gjykatës së kryepriftit.

I riu u paraqit pa frikë përpara gjykatësve dhe Shpirti i Shenjtë, të cilin Krishti ua premtoi se do t’ua dërgonte dishepujve të Tij në të tilla raste (Matth. 10:19), i frymëzoi një fjalim të zjarrtë, në të cilin u rikujtoi judenjve zemërgur se sa shumë durim dhe mirësi Perëndia tregoi për popullin e Tij pareshtur, duke u premtuar patriarkëve besëlidhjen e Tij dhe duke ndihmuar të zgjedhurit e Tij. Mrekulli, shenja të mëdha, veprime të hirit, premtime, zbulesa të frikshme nëpërmjet Moisiut u bënë të ditura në Sina, në shkretëtirë dhe në të gjithë historinë e Izraelit, pa lënë mënjanë faktin se sa shumë bëri Perëndia për të lartësuar popullin e tij të zgjedhur nga lidhja e sëmurë pas krijesave dhe për ta shpëtuar nga idhujtaria. Por gjithmonë ata rezistuan, derisa erdhi në tokë i Drejti, Shpëtimtari dhe Çliruesi, premtimi i patriarkëve dhe përmbushja e profecive, ata treguan të njëjtën zemër të parrethprerë, të njëjtën rezistencë këmbëngulëse ndaj rrugëve të Shpirtit të Shenjtë: “Si etërit tuaj, kështu edhe ju. Cilin nga profetët nuk ndoqën etërit tuaj? Por edhe i vranë ata që lajmëruan që përpara për ardhjen e të Drejtit, të cilit ju tani iu bëtë tradhtarë e vrasës” (Veprat 7:51-53).

Hiri i Perëndisë, që mbushte zemrën e Stefanit dhe që e bënte të ngjashëm me Qiellin, bëri që të dilnin prej gojës së tij këto fjalë të ndriçuara dhe u përhap edhe në trupin e tij, duke e bërë fytyrën të shkëlqente nga një dritë hyjnore, si Zoti ditën e Metamorfozës (shih Matth. 17:6; Lluk. 9:20). Judenjtë, kur e panë të veshur me lavdi shkëlqyese, si një engjëll të Perëndisë (Veprat 6:15), e rrethuan gjykatën dhe nisën të kërcëllojnë dhëmbët me inat. Zemërimi i tyre shpërtheu kur Stefani ngriti sytë në qiell dhe soditi lavdinë e Perëndisë dhe pa Jisuin më këmbë në të djathtë të Atit, aq qartë siç do të vijë në fund të kohëve dhe thirri: “Ja tek po shoh qiejt e hapur dhe të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë” (Veprat 7:26). Duke mos duruar dot këtë zbulesë të lartësimit në qiell të Jisu Krishtit dhe të qëndrimit të tij trupor në gjirin e Trinisë së Tërëshenjtë, judenjtë zunë veshët dhe u sulën mbi Stefanin, e çuan jashtë qytetit ku e vranë duke e goditur me gurë.

Teksa po e vrisnin, Stefani i qetë dhe rrezatues, ngazëllonte nga gëzimi, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e Mësuesit të tij, e gurët me të cilët e gjuanin u bënë për atë shkallë që e lartësonin deri në vizionin e lavdëruar të Krishtit që ai kishte parë. Duke thirrur emrin e Zotit, e dha frymën e fundit, si Jisui mbi Kryq, me këtë thirrje të dashurisë më të lartë për armiqtë: “Zot, mos ua zër atyre mëkat këtë” (Veprat 7:60; shih Lluk. 22:24).

Duke e zbukuruar Kishën me perlat e vyera të gjakut të tij, Stefani ishte i pari që ndoqi rrugën e hapur nga Krishti me anë të Pësimit të Tij. Vdekja e tij e vullnetshme për hir të së vërtetës i hapi qiejt dhe e bëri të shikonte lavdinë e Perëndisë. Dashuria e tij e përsosur për Perëndinë dhe për të arfërmin, duke shkuar deri në faljen e xhelatëve të tij, e bëri të qëndrojë në rangun e parë të miqve të Perëndisë. Për këtë arsye, shembujt e zjarrtë të martirëve që shohin në këtë ditë dritën e shkëlqyeshme të fytyrës së tij të përzier me atë të yllit të Betlehemit, kanë shpresë të sigurt në ndërmjetimin e tij.

Trupi i shën Stefanit, i varrosur prej njerëzve shpresëtarë, u rigjet pas një zbulese në vitin 415, në Kafargmala, nga prifti Lukian, dhe u transferua në Jerusalem, në kishën e ndërtuar për nder të tij nga perandoresha Evdokia, gruaja e Theodhosit të Ri. Më pas, e transferuan përsëri në Konstandinopojë.




Mbrapa

PayPal