
Ky shenjtor, me të njëjtin emër, ishte me prejardhje nga Nazareti i Palestinës dhe jetoi në kohën e persekutimit të Decit (249-251). La atdheun e vet dhe shkoi në Pamfili, në qytetin e Magidos, ku jetonte shumë thjesht, duke kultivuar një kopsht të vogël.
Pas persekutimit të martirëve të shenjtë Papia, Diodori dhe Klaudiani (25 tetor), dhe ekzekutimit të episkopit të qytetit, shën Nestorit (28 shkurt), qeveritari Publius kërkoi me tellallët e tij të mblidheshin të gjithë banorët, por të krishterët ikën, duke lënë pas të gjitha pronat. Kononi mbeti i vetëm në qytetin e shkretuar. Ushtarët, që ishin urdhëruar të kontrollonin shtëpi më shtëpi, e gjetën Kononin duke punuar në kopshtin e tij. I thjeshtë dhe pa ligësi në shpirt, shenjtori iu drejtua me fjalët:
“Përshëndetje, bijtë e mi!”. Por ata e lidhën pas kalit të komandantit që ta çonin para qeveritarit dhe shenjtori i ndoqi pa kundërshtuar. “Qeveritar i nderuar, i thanë ushtarët, i ramë kryq e tërthor qytetit dhe rrethinave dhe gjetëm vetëm këtë plak duke punuar në kopsht. Ai duhet të përgjigjet për të gjithë të krishterët e qytetit”. Pasi e pyeti për origjinën dhe besimin, Publiusi i tha Kononit: “Nuk të kërkoj të bësh therore, por vetëm merr pak temjan, pak verë dhe një degë palme dhe thuaj: “Zeus i tërëlartë, shpëtoje këtë popull!”. Thuaj këtë dhe nuk të kërkoj asgjë tjetër. Jepi fund kësaj marrëzie dhe jeto i lumtur mes nesh”. Martiri i bekuar ngriti sytë drejt qiellit duke psherëtirë dhe pohoi: “O më i mjeri i njerëzve! Është vullneti i Perëndisë që edhe ti merr pjesë në këtë çmenduri. Sa për mua, do ta himnoj dhe do ta lavdëroj Perëndinë në jetë të jetëve bashkë me ata që i dënove me vdekje, ngaqë nuk e mohuan Emrin e Tij të Tërëshenjtë”.
Tirani, shumë i zemëruar, e kërcënoi shenjtorin me tortura, por nuk mundi ta lëkundte nga besimi. Më pas, pasi foli me këshilltarët, urdhëroi t’i ngulnin gozhdë në kyçe dhe e detyroi të vraponte para karrocës së tij, ndërsa dy ushtarë e godisnin me kamxhik. Shenjtori, teksa vraponte, psalte dhe i lutej Perëndisë. Kur e çuan në sheshin e pazarit të qytetit, u gjunjëzua i rraskapitur dhe u lut kështu: “Zot, shpëtomë nga qentë e pangopur që kërkojnë të pinë gjakun tim dhe jepmë prehjen bashkë me gjithë të drejtët që bënë vullnetin Tënd të shenjtë!”. Pastaj bëri shenjën e Kryqit dhe dha shpirtin, si flijim të shumëçmuar te Perëndia.