
Omologjet Vasili, i veshur murg qysh në moshë të re, nën drejtimin e shën Prokop Dekapolitit, bëri një jetë plot me privime të shumta. I ushtruar në këtë mënyrë për të luftuar në asketizëm kundër sulmeve të të ligut, arriti të kishte efikasitet në betejën kundër ikonoklastëve heretikë. E arrestuan të dërguarit e perandorit, por qëndroi i palëkundur në besimin e drejtë. Pasi e torturuan duke i shkaktuar plagë të rënda, veçanërisht në fytyrë, e futën në një burg të errët ku qëndroi deri në vdekjen e tiranit Leon Isauri (741).
Në këtë kohë, pasi u lirua, së bashku me shën Prokopin dhe konfesorë të tjerë të besimit, rifilloi jetën e tij asketike, duke tërhequr në pendim një numër të madh mëkatarësh dhe duke rikthyer shumë heretikë në besimin e vërtetë dhe në kungimin e Kishës, si me fjalë ashtu edhe me anë të shembullit të virtyteve të tij. Pasi bëri një jetë kaq të lavdishme, u nis i gëzuar për në Mbretërinë e Qiejve.
Mbrapa
