
Theofani, ati ynë oshënar, lindi në vitin 759, gjatë sundimit të perandorit ikonoklast Konstandin Kopronimi (741-775), në një familje fisnike dhe të pasur të Konstandinopojës. Atë e edukoi e ëma, e cila dhe e fejoi kur ishte dymbëdhjetë vjeç, me një trashëgimtare të pasur, që e quanin Megalo. Pas tetë vjet fejesë, ditën e martesës, kur ata ishin vetëm në dhomë, Theofani i tregoi gruas se gjithmonë kishte dëshiruar të përqafonte jetën murgërore, ndaj e bindi edhe atë që të jetonin së bashku si vëlla e motër. Ata u angazhuan në këtë betejë të lavdishme të ruajtjes së virgjërisë në martesë për dy vjet, pavarësisht nga presioni i të atit të Megalos, i cili arriti të merrte nga perandori Leoni IV (775-780), emërimin e Theofanit si qeveritar i Kizikës, me detyrën për të mbikëqyrur ndërtimin e fortesës, duke shpresuar se kjo përgjegjësi do ta largonte nga aspiratat asketike.
Por rezultati ishte krejt i kundërt; sepse zyrtari i devotshëm e kalonte kohën e lirë duke vizituar asketët e krahinës. Njëri prej tyre, që quhej Grigor, e këshilloi shën Theofanin të vazhdonte të jetonte në këtë mënyrë dhe të këmbëngulte në dëshirën e tij për të mohuar botën. Gjatë një udhëtimi në Konstandinopojë mori titullin spatharios, por asgjë nuk mund t’ia shuante etjen që kishte për Perëndinë. Menjëherë pas vdekjes së perandorit dhe të vjehrrit, me lejen e perandoreshës regjente Irena, pasi liroi skllevërit dhe shpërndau pasurinë e tij të pamasë, e çoi të shoqen në një manastir të arkipelagut të Prinkipëve. Të shoqen nuk e takoi më në këtë jetë, por i shkruante që ta nxiste në detyrat e jetës murgërore. Vetë u bë murg në manastirin e Polikronit, në malin Sigriana, afër Kizikës.
Pastaj kaloi një periudhë të shkurtër në një pronë të familjes, që gjendej në ishullin e Kalonimos (Propont). Rreth tij u mblodhën kandidatë për jetën murgërore, por Theofani refuzoi t’i drejtonte, duke ia besuar drejtimin shpirtëror të vëllazërisë një murgu me përvojë nga një manastir tjetër, ndërsa vetë qëndroi për afro gjashtë vjet si eremit aty pranë. Kur igumeni i manastirit ndërroi jetë, vëllezërit njëzëri i kërkuan atij t’i zinte vendin. Me frikën se mos humbiste qetësinë e shenjtë, shenjtori u kthye në malin Sigriana. Atje mori një tokë që quhej Megalo Agros, ku ngriti një manastir, i cili u bë një nga qendrat më të njohura në atë kohë. I veshur me armatimin e luftëtarëve të Zotit: me kreshmë të matur, që than afshet e mishit, me agripni, që e bën mendjen të kthjellët në mes të natës dhe me lot që pastrojnë zemrën, ishte për të gjithë një ikonë e gjallë e bindjes së përsosur asketike.
Përsëri iu mblodhën nxënës përreth dhe u detyrua të merrte drejtimin e tyre shpirtëror. Dinte si të fliste me njerëzit e thjeshtë, por edhe me njerëzit e arsimuar dhe u mësonte me autoritet, por pa imponim, dogmat e shenjta dhe artin e zotërimit të pasioneve. Për të plotësuar përvojën e tij, ndërmori një udhëtim në manastiret e Bitinisë dhe të Hellespontit. Përveç detyrave dhe shërbimeve shpirtërore si bari, shkroi një Kronografi të gjerë, e cila mbetet ende një nga dokumentet më të mira për njohjen e historisë bizantine. Duke u bërë një enë e zgjedhur e hirit, mirëpriste me dashuri cilindo që vinte aty. Gjatë një zie buke i urdhëroi nxënësit që të shpërndanin të gjitha rezervat e manastirit tek ata që nuk kishin të hanin, por me hirin e Perëndisë gjithçka zëvendësohej sërish.
Në vitin 787, u thirr të merrte pjesë në Sinodin e Dytë të Nikeas, i cili mbrojti nderimin e Ikonave të Shenjta. Ai shkoi në këtë sinod i veshur thjesht si një njeri i varfër, por i çuditi të gjithë të pranishmit me njohjen e thellë të traditës së Etërve të Shenjtë. Kur u kthye në manastir, u sëmur rëndë nga gurët në veshka, gjë që e detyroi të qëndronte vazhdimisht në shtrat.
Kur perandori jobesimtar Leoni V Armeni rinisi persekutimin kundër ikonave të shenjta, në vitin 815, i paralajmëruar për reputacionin që kishte fituar igumeni i Megalo Agros, e thirri Theofanin në Konstandinopojë, me pretekstin që të lutej në prag të fushatës së tij kundër bullgarëve. Ushtarët që ishin dërguar nga perandori e morën me forcë, pavarësisht nga sëmundja e tij dhe dogjën manastirin. Kur e çuan në Konstandinopojë, Theofani refuzoi të takonte ballë për ballë perandorin heretik. Kjo e shtoi zemërimin e tiranit, i cili urdhëroi që shenjtori të burgosej në manastirin e Sergjit e Bakut, ku patriarku i ardhshëm heretik, Leon Gramariani, u përpoq më kot që ta thyente. Shenjtori i hodhi poshtë me sukses argumentet e tij.
Pas kësaj e mbyllën për dy vjet në një qeli të errët të pallatit të Elefterit. Pas këtyre perandori, pasi pa qëndrueshmërinë e tij në besim, urdhëroi ta internonin në ishullin e Samothrakës. Shenjtori i mbijetoi vetëm tri javë vështirësive të udhëtimit dhe dorëzoi shpirtin e tij në duart e Perëndisë, më 12 mars të viti 817 (ose 818). Varri i tij u bë menjëherë një vend shërimesh për banorët e ishullit të Samothrakës. Në vitin 822 nxënësit e tij shkuan që të merrnin lipsanin dhe ta çonin në manastirin e Megalo Agros. Shën Theodhor Studiti, i cili e admironte shën Theofanin, mbajti me këtë rast një fjalim për nder të tij.