
Oshënar Aleksi lindi në Romë gjatë sundimit të perandorit Arkad (395-408). Prindërit e tij besimtarë ishin pa fëmijë për shumë vjet. I ati ishte senator dhe quhej Efimian, ndërsa e ëma quhej Agllai. Mori edukimin më të mirë dhe, kur arriti në moshën e pjekurisë, prindërit vendosën ta martonin me një vajzë nga fisnikëria romake.
Natën e dasmës, në çastin kur ishin në dhomën e tyre, Aleksi, i cili ishte dashuruar me virgjërinë e shenjtë e të përsosur, i pëshpëriti disa fjalë në vesh vajzës, i la unazën dhe u largua në fshehtësi. U nis me anije duke ia besuar veten Providencës hyjnore, arriti në Laodiki dhe prej andej u bashkua me një karvan tregtarësh që shkonin në Edesë të Mesopotamisë. Ndaloi në një kishë që i përkushtohej Hyjlindëses dhe qëndroi atje në narteks për 17 vjet; i veshur me rroba të vjetra e të rreckosura, duke u ushqyer me lëmoshat e besimtarëve që vinin për t’u lutur.
Ndërkohë, i ati kishte dërguar shërbëtorët e tij gjithandej për ta kërkuar, ndërsa e ëma u vesh me thes dhe qante e pangushëlluar dhe e dërrmuar. Nusja, si turtullesha që pret dhëndrin e saj, priste ndonjë lajm. Disa nga të dërguarit e Efimianit arritën deri në Edesë, kaluan para Aleksit dhe madje i dhanë lëmoshë, pa u shkuar fare ndër mend që ai mund të ishte zotëria i tyre, sepse i gjithë trupi ishte transformuar nga asketizmi, vuajtjet e sëmundjet që duronte nga dashuria për Perëndinë.
Në fund të këtij asketizmi të gjatë që ushtronte fshehurazi, një ditë Hyjlindësja iu shfaq kishtarit dhe i kërkoi që ta lejonte njeriun e Perëndisë të hynte. Nga frika e ndereve dhe lavdërimeve, Aleksi u largua përsëri, hipi në një anije dhe u nis për në Tars. Por erërat e kundërta, ose më mirë të themi, Përkujdesja hyjnore, e shtyu anijen deri në portin e Romës. Shenjtori iu bind kësaj shenje hyjnore dhe pa u vonuar shkoi në shtëpinë e familjes, ku si lypsar i kërkoi të atit lëmoshë, ndërsa po dilte nga shtëpia.
Pa e njohur birin e tij të dashur, Efimiani, i cili ishte bërë më i dhembshur që ditën e humbjes së të birit, i urdhëroi shërbëtorët t’i gjenin një strehë këtij njeriu të mjerë dhe ta ushqenin me tepricat e tryezës së tyre për sa kohë që të dëshironte të qëndronte aty. Njeriu i Perëndisë qëndroi 17 vjet në hyrjen e shtëpisë së të atit dhe duroi pa u ankuar, madje me kënaqësi, talljet e fyerjet e shërbëtorëve. Kur ndjeu largimin e tij nga kjo botë, kërkoi letër dhe bojë dhe pasi shkroi gjithë historinë e tij, fjeti dhe iku në banesat e përjetshme.
Në të njëjtën ditë, kur po kryhej Liturgjia Hyjnore në bazilikën e Shën Petros, nën drejtimin e papës dhe në prani të perandorit Honor (395-423) dhe të shumë besimtarëve, u dëgjua një zë në shenjtërore, që tha: “Kërkoni për Njeriun e Perëndisë; ai do të lutet për qytetin dhe për të gjithë ju. Tashmë ai po largohet nga trupi!”. Ndërsa turma lutej, zëri u dëgjua sërish për t’u zbuluar se ai gjendej në shtëpinë e Efimianit.
Kur kortezhi, i kryesuar nga perandori dhe papa, arriti në atë shtëpi, shërbëtori që i përgjigjej nevojave të lypësit u tregoi se ai ua jepte ushqimin më të varfërve dhe për vete ushqehej vetëm të dielave me pak bukë e ujë dhe i duronte me qetësi ofendimet e shërbëtorëve. Shkuan në kasollen ku kishte qëndruar shenjtori dhe e gjetën të vdekur me letrën në dorë.
Kur e lexuan atë përpara popullit, të gjithë mbetën pa gojë dhe të shastisur nga mënyra e mrekullueshme me të cilën ky shërbëtor i Perëndisë kishte luftuar kundër natyrës, për të fituar të mirat e përmbinatyrshme. Kur perandori dhe papa panë lotët dhe vajtimin e prindërve të Aleksit, i nxitën që të gëzoheshin, madje të ngazëlloheshin që sollën në botë një shenjtor të tillë, i cili do të mbretëronte me Krishtin në përjetësi. Turma e njerëzve rrethoi shtratin ku prehej i lumuri; të verbrit rigjetën shikimin, të shurdhrit dëgjuan, memecët lavdëruan Perëndinë me zë të lartë, frymët e këqija morën arratinë. U bë një rrëmujë kaq e madhe, saqë kortezhi mbeti në vend.
Perandori i hodhi turmës monedha ari, me shpresën se njerëzit do të suleshin mbi to dhe do ta linin kortezhin mortor të ecte përpara. Por populli e përbuzi arin e prishshëm për të marrë hirin e paprishjes, duke prekur trupin e shenjtorit. Përfundimisht, trupin e tij e vendosën në bazilikën e Shën Bonifacit, në një arkë të zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar, dhe që aty dilte miro erëkëndshme, që shëronte të gjitha llojet e sëmundjeve.