
Krisanthi ishte biri i një njeriu të shquar nga Aleksandria, i senatorit Polem, i cili u vendos me familjen e tij në Romë nën sundimin e Numerianit (283-284). Pasi përfundoi studimet elementare, filloi të studionte filozofi, por mbeti i pakënaqur nga ajo që gjeti dhe atëherë i mrekulluar zbuloi Ungjillin, librin e Urtësisë së personifikuar. I udhëhequr nga Providenca hyjnore, gjeti shumë shpejt udhërrëfyesin që kërkonte te prifti Karpofor, i cili ishte fshehur në një shpellë, për shkak të persekutimit. Nga ai mësoi misteret e besës dhe u pagëzua. Pas shtatë ditësh u kthye në qytet dhe nisi të predikonte Krishtin duke sjellë pakënaqësinë e prindërve të tij. Polemi u përpoq t’i kthente mendjen me premtime për kënaqësi dhe pasuri, por meqë nuk pati sukses, e mbylli në një qeli të errët, me shpresën se do ta thyente vullnetin e tij me anë të urisë.
Mbasi pa se të birin e fuqizonte kreshma dhe izolimi, sipas këshillës së një miku, e dërgoi në një dhomë plot luks dhe i dërgoi vajza të reja, që ta mposhtnin me ledhatimet e tyre. Por Krisanthi ishte i pandjeshëm ndaj tyre, ngaqë kishte ndihmën e Perëndisë dhe kujtonte shembullin e virgjërisë së patriarkut Josif (Gjen. 39). Dhe sa herë që i afroheshin vajzat e pacipa, ato i zinte gjumi. Atëherë i rekomanduan Polemit një vajzë të re, virgjëreshë të bukur nga Athina, e aftë për filozofi, me emrin Daria. E nxorën vajzën para Krisanthit, të zbukuruar me stoli të mrekullueshme dhe ajo u përpoq ta tërhiqte me fjalët e saj joshëse. Krisanthi i foli për vdekjen dhe gjykimin e fundit. Pas kësaj, ajo u përpoq t’i kujtonte detyrimin për nderimin e perëndive, por filozofi i vërtetë ia hodhi poshtë pa vështirësi argumentet, duke i treguar se nuk ka gjë më absurde se adhurimi i elementeve natyrore, të tokës, ujit dhe zjarrit, duke u dhënë forma njerëzore.
Kur i dëgjoi këto fjalë, Daria u dashurua me urtësinë e vërtetë dhe morën vendimin që të shfaqeshin sikur të dy do të martoheshin, por në të vërtetë të jetonin në virgjëri deri në fund të jetës, duke u përgatitur për nusëroren e dëlirë në Qiell. Ata predikuan edhe te të rinjtë e të rejat e Romës dhe disa prej tyre pranuan të ruanin virgjërinë për Perëndinë.
Paganët u alarmuan dhe i denoncuan te prefekti Celerin, i cili dha urdhër t’i arrestonin, ndërsa Krisanthin e dorëzoi te tribuni Klaud. E çuan para tempullit të Jupiterit, por Krisanthi refuzoi të sakrifikonte, ndaj e lidhën me litarë të bërë me lëkurë kau, të cilët ishin lagur, me qëllim që, kur të thaheshin, të depërtonin pak nga pak deri në kockë. Por Perëndia e çliroi dhe e shpëtoi për mrekulli edhe nga tortura të tjera që kishin shpikur tiranët. E futën në burg, por ai shkëlqente nga drita hyjnore. E fshikulluan, por kamxhikët u kthyen në pendë që e përkëdhelnin. Klaudi njohu atëherë fuqinë e Perëndisë bashkë me familjen: me të shoqen Ilaria, dhe të dy bijtë, Jasonin dhe Maurin, si dhe me ushtarët që ishin nën urdhrat e tij dhe i kërkoi shenjtorit që t’i mësonte. U përgatitën për Pagëzimin e shenjtë duke lavdëruar Perëndinë dhe deklaruan se ishin gati të vuanin çdo lloj torture për emrin e Tij.
Kur mori këtë lajm, Numeriani u tërbua e urdhëroi ta hidhnin Klaudin në det me një gur në qafë dhe t’ua prisnin kokat bijve të tij e ushtarëve. Të krishterët i vendosën trupat e martirëve të shenjtë në një vend të nëndheshëm pranë rrugës Salaria, ku Ilaria u kujdes për të ndezur kandilat dhe të lutej në varret e tyre. Kur shkuan ushtarët për ta arrestuar, ajo u lut për herë të fundit në varret e martirëve dhe ia dorëzoi shpirtin Zotit. Shërbëtoret e saj e varrosën po aty dhe më pas atje u ngrit një kishë.
Nga frika se mos shtoheshin radhët e të krishterëve, perandori e mbylli Krisanthin në burgun e llahtarshëm të Mamertinos, i cili ishte i pistë dhe plot me plehra, ndërsa Darian e dërgoi në një shtëpi publike. Por Perëndia i vizitoi përsëri shenjtorët e tij; e rrethoi Krisanthin me dritë dhe erë të mirë, ndërsa Darias i dërgoi një luan për ta mbrojtur nga sulmet e njerëzve të paturpshëm. E reja nuk e lejoi luanin të gëlltiste të parin e atyre burrave, duke e sjellë me butësi në vete dhe kështu arriti ta kthente te Krishti. Luani solli edhe njerëz të tjerë, por dhe ata u kthyen në besim kur dëgjuan fjalët e Darias. Pas kësaj, Celerini i vuri zjarrin hyrjes dhe Daria e dërgoi kafshën në pyll e u përgatit për betejën e fundit.
Krisanthi dhe Daria iu nënshtruan torturave të tjera, por pa rezultat. Përfundimisht i hodhën të gjallë në një gropë dhe i mbuluan me gurë e dhé. Kështu mbaruan me martirizim dhe shkuan në Mbretërinë e Qiejve. Një vit më pas, të krishterët u mblodhën në atë vend për të kremtuar kujtimin e lindjes së martirëve në qiej, por Numeriani urdhëroi ta mbyllnin hyrjen e shpellës ku ata po merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore, që po kryhej nga prifti Diodor dhe dhjaku Marian. Të gjithë u kunguan, ndërsa ushtarët bllokonin hyrjen me dhé. Kështu shkuan të takonin në gëzimin e përjetshëm Krisanthin, Darian dhe bashkatletët e tyre.