Polikarpi i lavdishëm, që ishte, sipas nxënësit të tij, Irineut të Lionit, “nxënësi i apostujve dhe familjar me ata që kishin parë Zotin”, lindi në Efes, në kohën e perandorit Vespasian (rreth vitit 70). Para se të martirizoheshin, prindërit e tij të shenjtë ia besuan fëmijën e tyre një gruaje të shenjtë, Kalistës, që e rriti me frikë Perëndie dhe me dashuri për virtytet e shenjta. Plot me dashuri në shpirt, fëmija jepte aq shumë lëmoshë, sa zbrazi rezervat e nënës së tij që e kishte adoptuar, për t’ua dhënë të varfërve. Meqenëse ato u rimbushën përsëri në mënyrë të mrekullueshme, Kalista i ndryshoi emrin, dhe nga Pangrat e quajti Polikarp (që do të thotë: me shumë fryte).

Kur arriti në moshë të pjekur, Polikarpi u bë nxënës i shën Joan Theologut, i cili shpallte në atë kohë lajmin e mirë në provincën e Azisë, bashkë me shën Bukolin (6 shkurt) dhe shën Ignat Hyjmbajtësin (20 dhjetor). Duke përftuar nga mësimdhënia e tij në gjithçka që kishte lidhje me Zotin, Polikarpi bashkëndau me Nxënësin e Shumëdashur të Tij të gjitha mundimet, deri në internimin e tij në Patmos. Shën Joani e hirotonisi Bukolin episkop të qytetit të madh dhe të famshëm të Smirnës dhe i besoi Polikarpin si ndihmës e shok të mundimeve. Kur mbërriti në Smirnë, Polikarpi u hirotonis prift dhe u ngarkua me përkujdesjen për jetimët, deri në ditën kur Bukoli, që parashikoi vdekjen e vet, e caktoi për të qenë pasardhësi i tij.

Kështu Polikarpi, me anë të vullnetit të Perëndisë dhe të atit të tij shpirtëror, u bë bariu i Kishës së Smirnës, dhe punoi me plot zell, duke imituar në gjithçka sjelljen e shenjtë të etërve të tij dhe duke përsëritur besnikërisht fjalët që ata i kishin marrë nga vetë goja e Zotit tonë. Shën Joani i dërgonte prej internimit lavdërimet e tij Engjëllit të Kishës së Smirnës dhe e inkurajonte të qëndronte besnik deri në vdekje, për të marrë kurorën e jetës së përjetshme (Zbul. 2:10). I veshur me hirin hyjnor, Polikarpi kreu mrekulli të shumta: me lutjen e tij shoi një zjarr që kërcënonte mbarë krahinën për shtatë ditë me radhë, bëri të binte shi i bollshëm pas një thatësire të gjatë, çliroi të demonizuar dhe shëroi të sëmurë, saqë shumë paganë, falë tij, u bënë të krishterë.

Në fillim të baritimit të Polikarpit (viti 101), shën Ignati u dënua me vdekje dhe u dërgua i lidhur me zinxhirë në Romë për t’u bërë pre e bishave të arenës. Ai kaloi nga Smirna dhe ishte i lumtur të përqafonte për herë të fundit episkopin e shenjtë. Kur mbërriti në Troadë, shën Ignati i dërgoi një letër ku e falënderonte për mikpritjen e tij, i dorëzoi kujdesjen e Kishës së Antiokisë dhe i transmetoi këshilla të vyera e të frymëzuara hyjnisht për detyrat e bariut: Unë lavdëroj Zotin që më ka gjykuar të denjë të sodit fytyrën tënde të paqortueshme. Kryeje detyrën tënde episkopale me zell të madh në trup dhe në shpirt. Merru me unitetin, sepse nuk ka asgjë më të lartë se ai. Duroji me dashuri të gjithë njerëzit, ashtu si Zoti të duron ty. Mbaji dobësitë e të gjithëve, si një atlet i përsosur. Koha e tanishme të kërkon të fitosh Perëndinë, njësoj si timonieri qëndron në pritje të erës dhe si njeriu i rrahur nga furtuna, që shpreson të dalë në limanin e qetë….

Në vazhdim, shën Polikarpi u shkruante të krishterëve të Filipisë për t’i përgëzuar që e pritën denjësisht shën Ignatin dhe martirët: … ikonat e dashurisë së vërtetë, të cilat i keni shoqëruar siç u ka hije atyre që ishin lidhur me zinxhirë të denjë për shenjtorët, që janë diademat e atyre që janë zgjedhur vërtet nga Perëndia. Ai i nxiste të qëndronin në durimin që panë të rrezatuar te martirët dhe iu sjell përpara parimet e jetës së një komuniteti të krishterë, i cili është mik i dashurisë: Besa është nëna e ne të gjithëve, ajo është burimi i shpresës dhe paraprihet nga dashuria për Perëndinë, për Krishtin dhe për të afërmin. Ai që qëndron në këto virtyte, e ka përmbushur porosinë e Drejtësisë, sepse ai që ka dashurinë, është larg çdo mëkati.

Shën Polikarpi e drejtoi Kishën e tij në mënyrë apostolike për më shumë se 50 vjet. Në vitin 160, tashmë i moshuar, bëri një udhëtim në Romë për të diskutuar me papën Aniket në lidhje me një dallim që e ndante Romën me Kishat e Azisë për datën e Pashkës dhe për të mbrojtur besën e vërtetë kundër herezive. Shkëlqimi i shenjtërisë dhe i mësimit të tij bëri që të ktheheshin në besimin e vërtetë shumë veta që ishin mashtruar nga heretikët Valentin dhe Markion. Në çastin kur po largohej nga Roma, Papa i la për hir të nderimit, kryesimin e Mbledhjes Eukaristike dhe, pasi shkëmbyen puthjen e shenjtë, u ndanë me paqe, me respekt të ndërsjellë për dallimet legjitime midis Kishave lokale.

Pak kohë pas kthimit të tij në Smirnë (155), shpërtheu një persekutim i dhunshëm kundër të krishterëve nga perandori Mark Aureli (161-180), që pështjelloi mbarë Kishat e Azisë. Në këtë kohë, gjatë martirizimit të dymbëdhjetë martirëve nga Filadelfia, shën Polikarpi, tashmë 86 vjeç, vdiq me një vdekje të lavdishme, të Shtunën e Madhe, në mënyrë të ngjashme me Pësimin e Zotit tonë Jisu Krisht.

Gjatë kohës që këta martirë të shenjtë të Krishtit po duronin të gjitha llojet e torturave dhe në fund do të shërbenin si ushqim për bishat, Polikarpi shumë i nderuar, po ruante qetësinë e tij të zakonshme dhe donte të qëndronte në qytet për të mos e braktisur grigjën e tij. Por, duke dëgjuar lutjet e shokëve të tij, të cilët i kërkuan që të mos e ekspozonte para kohe veten e tij në vdekje, u tërhoq në një pronë të vogël, jo larg qytetit, dhe natë e ditë lutej për të gjithë njerëzit dhe për Kishat e mbarë botës. Tri ditë para arrestimit, ndërsa po lutej, pati një vegim në të cilin jastëku i tij mori zjarr dhe u bë shkrumb. Kur u kthye te shokët, u bëri të ditur se së shpejti ai do të jepte jetën e tij për hir të Krishtit.

Kur kishte shkuar në një tjetër strehë, katër burra të armatosur, që mësuan se ku qëndronte, pasi torturuan një skllav të ri, shkuan dhe u futën me dhunë në ndërtesë. Shenjtori refuzoi të largohej dhe i priti me një fytyrë plot rrezatim e dritë, i ftoi të hanin një mëngjes të mirë, duke u kërkuar që ta linin për pak kohë të lutej. Ata pranuan dhe ai, pothuajse dy orë, u lut më këmbë, i mbushur plot me hirin e Perëndisë, duke kujtuar të gjithë njerëzit që kishte njohur, të mëdhenj e të vegjël, si edhe Kishën në mbarë botën. Erdhi ora e largimit dhe ushtarët, të kapur nga një frikë e madhe dhe pasi u penduan që ndërmorën një veprim të tillë, e hipën mbi një gomar që ta çonin në Smirnë. Përgjegjësi i rojave, që quhej edhe ai Herod, ndaloi para tij dhe e mori në karrocën e vet, për ta bindur që të shpëtonte jetën duke i bërë sakrificë Cezarit. Kur e pa se u mundua më kot, e flaku në rrugë shenjtin dhe e goditi. Plaku i plagosur në këmbë e vazhdoi me më shumë gëzim rrugën e tij.

Kur hyri në stadiumin e mbushur plot, ku turma thërriste e ulërinte e etur për gjak, një zë hyjnor u dëgjua në mes të të krishterëve të paktë, që ndodheshin në atë masë njerëzish. “Ki kurajë, Polikarp, dhe sillu si burrë!”. Prokonsulli e nxiti të mohonte Krishtin, duke thënë: “Të të vijë keq për moshën tënde të madhe!”, si dhe gjëra të tjera, që persekutorët e kanë zakon të thonë në të tilla raste. “Betohu për emrin e Cezarit dhe thuaj: Poshtë ateistët!”, i thërriste atij. Polikarpi hodhi vështrimin mbi turmën e paganëve që kishte mbushur amfiteatrin dhe u përgjigj duke psherëtirë: “Po, sigurisht, poshtë ateistët!”. Teksa po e urdhëronin të mohonte Krishtin, ai u përgjigj: “Për 86 vjet me radhë unë i kam shërbyer atij dhe nuk më ka bërë asgjë të keqe. Si mundem unë të blasfemoj kundër Mbretit tim që më do?”.

Prokonsulli i tha: “Unë kam kafshë të egra dhe, nëse nuk ndryshon mendje, do të bëhesh pre e tyre”. Polikarpi u përgjigj: “Silli këtu, sepse për ne është e pamundur që të shkojmë nga më e mira te më e keqja, ndërkohë që rregulli për njeriun është që të përparojë nga e keqja për te drejtësia”. “Do të të përvëloj me zjarr, sepse ti i përbuz kafshët”, i tha gjykatësi. Polikarpi, plot me fuqi dhe gëzim, iu përgjigj: “Ti më kërcënon me zjarrin që digjet për një çast dhe pas pak kohe shuhet, sepse nuk e njeh zjarrin e gjykimit të ardhshëm dhe mundimin e përjetshëm, që iu është bërë gati të pabesëve. Por përse të harxhojmë kohë dhe të vonohemi? Bëj ç’të duash!”.

Pasi tellalli shpalli se Polikarpi kishte deklaruar tri herë radhazi se ishte i krishterë, turma e tërbuar kërkoi me forcë që një luan i egërsuar të lëshohej kundër tij. Por, meqenëse ndeshjet e kafshëve kishin përfunduar, thirrën: “Polikarpi duhet të digjet i gjallë!”. Menjëherë paganët dhe judenjët e përzier me ta shkuan nëpër punishtet e ndryshme për të gjetur dru dhe shkarpa. Kur bënë gati pirgun e druve në mes të stadiumit, Polikarpi i hoqi vetë rrobat e tij dhe po aq i qetë sa ishte kur kryente sakrificën e shenjtë, donte të hiqte edhe këpucët, gjë që nuk e kishte bërë ngaqë besimtarët donin t’i puthnin këmbët. Kur donin ta mbërthenin në një shtyllë, ai u tha xhelatëve: “Më lini kështu, sepse Ai që më jep fuqinë për të duruar zjarrin, do të më japë forcë që të qëndroj i palëvizur në turrën e druve”. E vunë në mes të turrës dhe ndezën zjarr për ta konsumuar si një sakrificë të vullnetshme të bërë gati për holokaust. Ai ngriti sytë drejt qiellit dhe me një lutje të fundit falënderoi Perëndinë, që e bëri të denjë të merrte pjesë, me të gjithë martirët e tjerë, në kupën e Krishtit, për ngjalljen dhe jetën e përjetshme të shpirtit dhe të trupit, në paprishjen e Shpirtit të Shenjtë.

Kur ai shqiptoi fjalën Amin dhe përfundoi lutjen, xhelatët e ndezën zjarrin. Një zjarr i madh u ngrit përpjetë, por, për çudi, flaka mori formën e një veli, që tundej nga era, e cila e rrethonte si mur mbrojtës trupin e shenjtorit. Ai qëndronte në mes jo si një trup që digjet, por si një bukë që piqet ose si ari që shkëlqen në fonderi, duke lëshuar aromë temjani dhe aroma të tjera të këndshme.

Kur të pabesët e panë se shenjtori nuk po vdiste nga zjarri, urdhëruan xhelatët që t’i prisnin kokën me shpatë. Atëherë gjaku shpërtheu në një sasi aq të madhe, saqë e shoi zjarrin, duke e habitur turmën e pranishme.

Lipsanet e çmuara të martirit të shenjtë u dogjën e u bënë hi me shtysën e judenjve, por besimtarët arritën të merrnin disa eshtra dhe i vendosën në një vend të përshtatshëm, ku mblidheshin çdo vit për të kremtuar me gëzim ditën e lindjes së tij në qiell. Martirizimi i lavdishëm i shën Polikarpit e ndaloi për njëfarë kohe persekutimin kundër të krishterëve.




Mbrapa

PayPal