Shën Ermili ishte dhjak në Singidunum (Beograd), në kohën kur mbretëronte perandori Licinius (324). U denoncua nga paganët dhe i priti me gëzim e me padurim ushtarët që erdhën ta arrestonin. E çuan në amfiteatër, ku u tall me adhurimin e pamend të idhujve, për këtë arsye ia shqyen fytyrën. E futën në burg, ku e vizitoi një engjëll, i cili e ngushëlloi dhe i dha zemër që të qëndronte i fortë deri në fund të betejës. Kur e çuan prapë para perandorit, i tregoi se besimi i tij ishte edhe më i fortë pas gjithë atyre sprovave, dhe u rrah me shkopinj nga 6 burra, pa ndier aspak dhimbje. Iu lut Perëndisë dhe i kërkoi ta denjësonte të bëhej pjesëmarrës në Pësimin e Tij shpëtimtar. Atëherë, një zë u dëgjua nga qielli, duke i premtuar se do të kurorëzohej pas 3 ditësh.

Rojtari i burgut, Stratoniku, kishte fituar besimin nga të gjitha këto mrekulli dhe ishte bërë mik i Ermilit, por ende nuk guxonte të shpallte hapur se ishte i krishterë dhe të arrinte në martirizim. Të nesërmen, kur Ermilin e nxorën nga qelia e burgut që ta torturonin, Stratoniku nuk duroi dot dhe derdhi lot kur pa mikun e tij të shtrirë përtokë, të rrahur keq me shkopinj me trekëndësha hekuri në majë, dhe barkun të çarë deri në të përbrendshmet nga thonjtë e shqiponjës. Kur e panë në atë gjendje, ushtarët e pyetën dhe, si ndjeu se kishte ardhur momenti i përshtatshëm, Stratoniku u rrëfeu jo vetëm që ishte mik i martirit, por edhe se kishte të njëjtin besim si ai dhe ishte gati të vuante vdekjen për dashurinë e Krishtit. E arrestuan dhe e dënuan me rrahje, por mori zemër kur pa mikun e tij dhe i kërkoi t’i lutej Zotit, që t’i jepte fuqi për të këmbëngulur deri në fund.

Kur i futën në burg, një zë qiellor u premtoi kurorën e fitores të nesërmen.
Sapo u gdhi, Ermilin e morën dhe e varën në një shtyllë për ta prerë copë-copë. I frikësuar nga ndërhyrjet hyjnore dhe i dëshpëruar se nuk mundi ta rikthente Stratonikun në idhujtari, tirani urdhëroi t’i mbështillnin të dy martirët në një rrjetë dhe t’i hidhnin në Danub. Të mbushur me gëzim për të takuar Krishtin, të dy shenjtorët psalnin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje”. Ujërat e lumit, të shenjtëruara nga trupat e shenjtorëve, i nxorën në breg disa ditë më vonë, për gëzimin e të krishterëve, të cilët i varrosën me nderime afër qytetit.




Mbrapa

PayPal