Shën Jakovi përqafoi në fillim jetën eremite në malet afër Nisivës (Persi). Ushqehej me atë që ofronte toka, pa përdorur zjarr apo veshje të leshta. Aktiviteti i tij i vetëm ishte të pastronte pa kompromis shpirtin e tij, që Shpirti i Shenjtë të shkëlqente në të dhe në trup. Në fakt, Hiri banonte tek ai me bollëk, sa kryente mrekulli të shumta për mbështetjen e besimtarëve, për dënimin e të këqijve dhe idhujtarëve. U bë mjaft i njohur dhe u zgjodh episkopi i parë i Nisivisë (308); por nuk ndryshoi asgjë në mënyrën e jetesës së tij, kur kaloi nga shkretëtira në zhurmën e qytetit. Asketizmit të tij të zakonshëm i shtonte edhe kujdesin për të varfrit, për vejushat e jetimët dhe për mbrojtjen e të shtypurve. Kur shën Konstandini i Madh mblodhi Sinodin e madh dhe të shenjtë Ekumenik të Nikeas, ai qëndroi mes Etërve dhe shkëlqeu me madhështi nën mbrojtjen e Orthodhoksisë. Kur u kthye në Nisivi, themeloi një shkollë eksegjetike, interpretuese, e cila u bë e njohur menjëherë nga mësimdhënia e shën Efremit (28 janar).
Kur Sapori, mbreti i persëve, rrethoi qytetin me ushtrinë e tij (338), shën Jakovi inkurajoi popullin për mbrojtje, ngriti në një natë muret e qytetit, të cilat ishin shembur nga një përmbytje dhe, në çastin e sulmit vendimtar, Perëndia i dërgoi, me anën e lutjes së tij, një re të madhe mushkonjash, të cilat mbollën panik mes armiqve dhe e kthyen mbrapsht ushtrinë perse. Paqja u vendos përsëri dhe shën Jakovi vazhdoi të drejtonte kishën, duke përparuar nga dita në ditë në soditjen e Perëndisë, dhe kaloi përfundimisht për në banesën e të lumurve i mbushur me lavdi.
Mbrapa