Oshënar Erazmi trashëgoi pasuri të mëdha nga prindërit dhe i shpenzoi ato për zbukurimin e kishave të Perëndisë, veçanërisht për bërjen e ikonave dhe veshjen e tyre me argjend e ar, për të pasur edhe këtu në tokë, aq sa është e mundur, një refleks të lavdisë shpirtërore që kanë shenjtorët në qiell. Kur u zhvesh krejtësisht prej pasurive të kësaj bote, u dha me zell në jetën murgërore. Por, kur e filloi këtë jetë, u sulmua me mendime të nxitura nga demonët, që e qortonin për faktin se kishte prishur më kot pasuritë për kishat, në vend që t’ua jepte ato si ndihmë të varfërve.

Duke mos pasur shumë përvojë në luftën kudër mendimeve, Erazmi i la vend shkurajimit dhe, duke humbur kështu zellin e parë, nisi të bënte një jetë pa asketizëm. I sëmurë rëndë, ra në shtrat pa vetëdije, duke pasur pamjen e dikujt që kishte parë më përpara në një vizion të frikshëm. Murgjit që ishin mbledhur pranë tij, duke menduar se nuk i dëgjonte, nisën të diskutonin për shkaqet e kësaj sëmundjeje të frikshme dhe ia atribuonin atë mëkateve të tij. Papritur i sëmuri u ngrit më këmbë dhe tha: “Sigurisht, etër dhe vëllezër, unë jam një njeri mëkatar i papenduar, por ja që etërit tanë të shenjtë, Andoni dhe Theodhosi, më janë shfaqur dhe më thanë se iu lutën Krishtit që të më falë edhe një mundësi tjetër për t’u penduar. Dhe pas tyre m’u shfaq e Tërëshenjta, Nëna e Zotit, në pamjen siç e shikojmë në ikonën tonë të shenjtë, e rrethuar nga shumë shenjtorë dhe më tha: “Të varfrit i ke gjithmonë dhe në të gjitha vendet, por nuk është e njëjta gjë për kishat e shenjta. Unë do të të caktoj një vend në Mbretërinë e Birit tim, meqë ti i ke zbukuruar ato siç duhet”. Erazmi u ngrit prej lëngatës së tij, i rrëfeu mëkatet para vëllezërve dhe hyri në kishë, ku u vesh me skimën e madhe engjëllore. Pastaj, pas tri ditësh, fjeti me gëzim dhe iu bashkua korit të shenjtorëve në lavdinë e Perëndisë (rreth vitit 1160).




Mbrapa

PayPal