![](kalendar_new/det_kal_imgs/43-00.jpg)
Thonë për të se e mori Krishti në duart e tij të shenjta kur Ignati ishte akoma fëmijë i vogël dhe duke mësuar popullin e Jerusalemit, u thoshte: “Kush do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në Mbretërinë e Qiejve”. Duke thënë këtë, Krishti shfaqi qartë përparimin e ardhshëm të fëmijës në mësimin apostolik.
Shën Ignati u bë nxënës i ungjillorit Joan së bashku me Polikarpin e shenjtë, i cili u bë episkop i Smirnës. I hirotonisur prift prej apostujve të shenjtë, ai u zgjodh prej tyre episkop i Antiokisë gjatë viteve 68-70 pas Krishtit dhe i mësuar nga ata përparonte në virtyt. Si një bari i mirë udhëhoqi për shumë vjet me devotshmëri bijtë e tij shpirtërorë.
Pas fitores mbi tartarët, Trajani nisi një luftë të egër kundër të krishterëve dhe i detyronte që t’i faleshin perëndive të tij, të cilët gjoja e ndihmuan që të fitonte në luftë. Ai urdhëroi që të gjithë të krishterët që s’pranonin t’i faleshin idhujve, të torturoheshin më parë e më pas të vriteshin. Në atë kohë Trajani, i cili ndodhej në Antioki për të filluar luftën kundër persëve, mësoi se Ignati predikonte besimin te Krishti.
Pas përpjekjeve dhe premtimeve të shumta për ta bindur që t’u falej idhujve, të cilat shkuan kot, Trajani urdhëroi që ta dërgonin në teatrin e Romës dhe kur të kishte panair të madh dhe të ishte i grumbulluar i gjithë populli, t’ia hidhnin bishave që ta shqyenin para të gjithëve.
Të krishterët e Romës u përpoqën që ta shpëtonin nga martirizimi, por shenjti duke pasur dëshirë të zjarrtë që të martirizohej për Krishtin, i shkroi një letër atyre në të cilën u thoshte që të lejonin të bëhej dëshira e Perëndisë. E kështu urdhri i mbretit u zbatua.
Fjalët e fundit të shenjtit, para se ta shqyenin bishat ishin këto: “O spektatorë të dënimit tim, dua ta dini se nuk kam bërë asgjë të keqe që të dënohem me vdekje, por e pranoj me gëzim këtë dënim për t’iu afruar Perëndisë së vërtetë, të cilin e adhuroj”.
Pjesët e mbetura nga trupi i shenjtit, të krishterët i varrosën me nderim. E pikërisht në 29 janar Kisha jonë kremton transferimin e pjesëve të mbetura të lipsanit të shenjtit nga Roma për në Antioki.