Patriark i Konstandinopojës, lindi në vitin 758 kur mbreti i Konstandinopojës ishte ikonoklasti Kopronim. Prindërit e tij, Theodhori dhe Evdhoqia, ishin fisnikë të njohur, sepse babai i tij ishte regjistrues dhe noter i dekreteve dhe i urdhrave të mbretit. Pasi u zbulua se ai u falej (nderonte) ikonave të shenjta, e torturuan, e rrahën dhe e internuan në qytetin Milasa.
Pasi u kthye nga internimi, vazhdoi të mos i bindej urdhëresave të paligjshme e të padrejta të mbretit. Për herë të dytë u internua në Nikea ku vdiq pas 6 vjet internimi. Djali i Theodhorit, Niqifori, lindi dhe u rrit brenda një fryme orthodhokse. Që në moshë të vogël filloi të mësojë Shkrimet e Shenjta dhe u bë sekretar i oborrit mbretëror. Më pas, duke i konsideruar gjërat e botës si të kota dhe pa vlerë, u largua nga Konstandinopoja dhe shkoi në Propondidha. Atje, duke qenë vetëm me Perëndinë, lutej dhe ushtrohej në jetën e tij shpirtërore.
Meqenëse Patriarku i Konstandinopojës, Tarasi i Madh, vdiq, mbreti i atëhershëm iu lut dhe e bindi shën Niqiforin të bëhet patriark i Konstandinopojës të Dielën e Pashkës të vitit 806. Për 9 vjet me radhë shën Niqifori e udhëhoqi grigjën e tij si një bari i mirë. Por, pas vdekjes së mbretit, fronin e trashëgoi i biri i tij Stavragi, i cili mbretëroi vetëm dy muaj. Mbretëria kalon një gjendje të paqëndrueshme. Pas tij vijojnë edhe dy mbretëri të tjera, e Mihail Kuropalatit dhe e Leonit V, i cili e mori me dhunë fronin dhe në vitin 813 u bë mbret i Konstandinopojës.
Ky ishte dhe nxitësi i luftës kundër ikonave të shenjta dhe i besimit. Është e pamundur që të dalë dikush dhe të përshkruajë fjalët dhe argumentet që shën Niqifori i tha mbretit për nderimin e ikonave të shenjta. I zemëruar, mbreti e shpronësoi shenjtin, e internoi dhe e burgosi, duke urdhëruar që të mos komunikojë me asnjë. Kështu jetoi ky luftëtar i guximshëm i besimit, duke pësuar dhe duke vajtuar në internim për 13 vjet me radhë.
Në moshën 70-vjeçare, i munduar nga vuajtjet shumëvjeçare, ai dorëzoi shpirtin e tij të shenjtë në duart e Perëndisë.




Mbrapa

PayPal