Shën Erazmi bënte një jetë asketike në epokën e Dioklecianit. Ai arriti në një shkallë të lartë shpirtërore saqë u denjësua për Hirin hyjnor. Ushqehej nga korbat, si profeti Ilia (20 korrik). Rrezatimi i Hirit e bëri të zgjidhej episkop, pa dëshirën e tij.
Nuk kaloi shumë dhe, i nxitur nga frymëzimi hyjnor, përqafoi jetën hierapostolike dhe shkoi në krahina të ndryshme për të shpallur Ungjillin, si me fjalë ashtu edhe me anë të fuqisë së mrekullive. Kur mbërriti në Ohër, ai ngjalli një fëmijë dhe atin, të cilët u bënë të krishterë. Rrëzoi përtokë idhujt dhe, në vetëm shtatë ditë, arriti të kthente ne besim mbarë popullin.
Maksimiani, në këtë kohë, ishte duke kaluar për në Hermopolis dhe i raportuan se një i krishterë që kishte mbërritur nga Antiokia, kishte përmbysur idhujt dhe kishte kthyer në Krishterim një numër të madh njerëzish.
Erazmin e sollën para perandorit, e rrahën dhe e morën në pyetje. Kur shenjtori i pyeti se cilin perëndi kërkonin që t’i falej, Maksimiani e çoi në tempullin e Zeusit dhe i tregoi një statujë të madhe prej bronzi. Sapo Erazmi i hodhi statujës një vështrim kërcënues, ajo u thërrmua dhe prej saj doli një dragua i frikshëm. Të tmerruar, një numër i madh paganësh – thuhet se ishin 20.000 – u kthyen në besim. Ushtarët i vranë të gjithë, pa mëshirë.
Shenjtorit i veshën një këmishë bronzi të nxehur në zjarr, për ta torturuar, por hiri i Perëndisë e ndihmoi ta duronte sikur të ishte një rrobë e freskët dhe e lehtë. Në vazhdim, kryeengjëlli Mihail e çliroi nga burgu dhe e çoi në Formi të Kampanjas, ku shpalli Lajmin e Mirë me të njëjtat rezultate.
Kur erdhi koha për ta lënë këtë botë, shën Erazmi u kthye drej Lindjes dhe e luti tri herë Zotin që t’u falte ndjesën e mëkateve të gjithë atyre që, në të ardhmen, do të kremtonin kujtimin e tij. Pastaj një kurorë e shkëlqyeshme zbriti prej qiellit dhe një kor i madh shenjtorësh erdhi dhe qëndroi para tij për ta çuar në oborrin qiellor.




Mbrapa

PayPal