
Ishte bir i Patricit, aristokrat i degjeneruar idhujtar dhe në fund i krishterë, dhe Monikës, besimtare e zjarrtë. Lindi më 354 në Numidia (të Algjerisë së sotme). I talentuar nga pikëpamja mendore, ndërsa studionte në Kartagjene ra në mëkat dhe bëri një fëmijë jashtë martese, Adeodatin. Kërkimet e tij shpirtërore e bënë të hallakatej në filozofi të ndryshme dhe në herezinë e Manikaizmit. Në Milano, ku jepte mësimin e retorikës (oratorisë), u ndriçua (384) nga predikimet e episkopit, shën Ambrozit (7 dhjetor). Por, etja e tij metafizike nuk ishte ngopur akoma.
E qetësonin letrat e Pavlit, derisa njëherë, siç po qante në kopshtin e tij, duke iu falur Perëndisë që ta qetësonte, dëgjoi një zë të mistershëm melodioz prej fëmije: “Merre dhe lexoje!” Mori Ungjillin. Syri i shkoi te Romakët 13:11-14: “Tani është ora të zgjohemi nga gjumi… le të hedhim tej punët e errësirës … vishni Zotin…”. Hiri e mbushi. Lutjet e dhimbshme të pareshtura të Monikës ishin dëgjuar. U pagëzua natën e Pashkës (387) nga Ambrozi, bashkë me Adeodatin 15-vjeçar, ndërsa thuhej se psalej për herë të parë “Të himnojmë, të bekojmë…”.
Misticist dhe njeri i zemrës themeloi vëllazëri murgërore në atdheun e tij, mbas kthimit atje më 388. Por, duke vizituar miqtë e tij në Ipona, në breg të Numidias, u detyrua prej të gjithëve më 391 të bëhej prift, më 396 ndihmës episkop dhe mbas pak kryebariu i qytetit. U kujdes pa u lodhur për klerin dhe popullin turpëronte dhe i bënte të pavlerë heretikët dhe idhujtarët.
Ati i vjetër dhe më i famshëm perëndimor fjeti më 28.8.430, duke na lënë në trashëgim një vepër tejet të madhe për nga shtrirja: Vepra polemike (si “Për [88] herezitë”), dogmatike (“Për Trininë”; “Për shtetin e Perëndisë” etj.), vepra autobiografike (“Rrëfime”; “Rishikime”), vepra filozofike, shpjeguese, morale, predikime e letra. Doktrina novatore dhe të fuqishme të tij u keqkuptuan nga heretikët.
Agustin, latinisht do të thotë: i respektuar.