
Ishin vëllezër persianë, të cilët morën kurorën e pavdekshme të martirizimit më 17.6.362. I ati ishte adhurues i zjarrit, por e ëma ishte e krishterë në sajë të priftit Evnoik (ose Evnik) që kaliste bijtë e saj. Dikur perandor Juliani (361-363) kërkoi ndërmjetës nga mbreti persian për të lidhur paktin e paqes, ky dërgoi shenjtorët e shkolluar, të cilët u pritën me nderime.
Por kur Julian Shkelësi dhe oborrtarët e tij bënin flijime te perënditë gjatë festës, të tre të dërguarit qanin mënjanë për adhurimin e demonëve. I pikasën, dhe meqenëse ata nuk u bindën për të bërë edhe ata flijime, u burgosën nga perandori. Ky i fundit më kot u përpoq ditën e nesërme që t’i trembte, i torturan dhe fshikulluan derisa u mbuluan me gjak; i gozhduan në duar e këmbë në dërrasë dhe i varën; i gërvishën me thonj hekuri, saqë u binin mishrat. Ndërsa luteshin u shfaq engjëlli që u zbuti dhimbjet e padurueshme.
Monarku largoi vëllain e madh, Manuelin, për t’u dobësuar qëndresën vëllezërve më të vegjël. Ndërkohë ai nuk mundi t’i gënjente dhe ndaj u dogji brinjët dhe sqetullat me llambadhe, por dashuria për Krishtin ua hiqte dhimbjet. Ai u mundua që të thyente Manuelin, por më kot. Edhe atij i dogjën sqetullat dhe e mbështollën me kallama, të cilat i shtrëngonin duke e shpuar me mjete të mprehta.
Së fundi u ngulën gozhda në kokë dhe në shpatulla, ashkla në thonj dhe ua prenë kokën. Tirani, duke e ditur se lipsanet do t’i merrnin besimtarët, kishte urdhëruar që të digjeshin. Por u hap dheu dhe i fshehu ato, kështu që shumë njerëz besuan. Pas dy ditësh u rihap dheu dhe ua dha besimtarëve lipsanet, të cilat kundërmonin erë të këndshme dhe kryenin mrekulli. Renegati u vra në luftë me persianët (363), sepse pakti mbeti përgjysmë për shkak të sjelljes së paparë dhe të parrëfyeshme ndaj ambasadorëve të tyre.
Mbrapa
