
Gjatë punimeve të ndërmarra për të ngritur muret e kështjellës së Rodosit, punëtorët zbuluan një kishë të bukur e të rrënuar, nën gurët e së cilës gjetën ikona të ndryshme. Midis tyre u gjet edhe një ikonë e paprekur, e cila paraqiste një djalosh të ri e të veshur me rroba ushtarake, që mbante në dorën e djathtë një kryq dhe mbi të qëndronte një qiri i ndezur. Përreth ikonës kishte 12 skena të martirizimit të tij.
Episkopi i vendit, Nili (1355-1369), mundi të lexonte çfarë ishte shkruar: “Shën Fanuri”, emër që mungonte në Sinaksarë. Kur qeveritari i ishullit ndaloi episkopin shpresëtar të restauronte kishën, ky i fundit shkoi deri në Konstandinopojë dhe atje arriti të merrte leje. Që atëherë shën Fanuri kreu shumë mrekulli, veçanërisht për gjetjen e objekteve të humbura apo për kafshë të zhdukura.
Sipas një tradite popullore të përhapur në Kretë, nëna e shenjtit ishte një mëkatare e madhe dhe me gjithë përpjekjet e tij, Fanuri nuk mundi ta kthente. Nuk pushoi aspak së luturi me zjarr për shpëtimin e saj dhe, kur paganët e vranë, ai thirri: “Për të gjitha këto vuajtje, o Zot, ndihmo gjithë ata që luten për shpëtimin e nënës së Fanurit!”. Prandaj, kur besimtarët humbin ndonjë objekt, kanë zakon të bëjnë ëmbëlsira e t’i ndajnë me dashuri për faljen e nënës së shën Fanurit.
Fanuri, greqisht do të thotë: i shfaquri.




Mbrapa
