Shkëlqeu me virtytin e tij të gjithanshëm dhe me besimin e tij korrekt në kohën e perandorit arian Konstandin (337-361). Para vitit 360, u hirotonis episkopi i vendlindjes së tij, Samosatës të Mesopotamisë. Luajti një rol aktiv në hirotonisjen e shën Meletit të Antiokisë (12 shkurt) meqë atij iu dorëzua për ruajtje “vendimi”, d.m.th. marrëveshja e arianëve dhe orthodhoksëve për zgjedhjen e Meletit.
Më vonë, me sa duket kur Meleti u shfaq orthodhoks, Konstandi e kërcënoi Eusebin se do t’i priste dorën nëse nuk do t’ia jepte “vendimin”. Kryeprifti, duke kundërshtuar, shtriu pa frikë jo një dorë, por të dyja, saqë shantazhi mbretëror dështoi absolutisht. Si luftëtar i radhëve të para të Orthodhoksisë, mbrojti dogmën e Nikeas në sinodin e Antiokisë të vitit 463. Lidhi miqësi dhe kishte korrespondencë me Vasilin e Madh (1 janar), të cilin e mbështeti në mënyrë vendimtare gjatë zgjedhjes së tij kryepiskop, që të mos binte Kapadokia në duart e herezisë. Madje udhëtoi posaçërisht dhe me nxitim në Qesari, kryeqytetin e saj, pas një nxitjeje me shkrim të shën Grigorit të Nazianzit (1 janar).
Kishte letërkëmbime edhe me Grigor Theologun (25 janar), i cili në një letër që i dërgoi atij e quan “shtyllë dhe mbështetje të së vërtetës; ndriçues në botë dhe kanun bese”. Meqë e kundërshtonte fuqishëm perandorin filoarian Vali (364-378), u përndoq nga ai dhe në fund u internua në Danub (374). Por pas vdekjes së tij, u rikthye në dioqezën e tij.
U vra më 379 ose 380 me një tjegull që i hodhi nga lart një grua ariane, të cilën hierarku, martir tashmë, arriti ta falte para se të jepte shpirt. Një poet që krijonte, shkruan në shërbesën e tij se bashkë me tjegullën në kokën e shenjtit kishte zbritur dhe kurora qiellore.
Euseb, greqisht do të thotë: besëmirë.




Mbrapa

PayPal