
Pas vdekjes së papritur të perandorit Theodhosi II, ra nga kali (450), regjenca u mor nga motra e tij, Pulkeria, e cila ishte rrëzuar nga pushteti me anë të intrigave të eunukut Krisaf. Herezia monofizite i kishte shkaktuar trazira të mëdha shtetit dhe Kishës, pas “Sinodit Kusar” të Efesit (499), ndaj Pulkeria vendosi të merrte një bashkëperandor, për të lehtësuar barrën e pushtetit. Ajo zgjodhi Markianin, një vejan tashmë i moshuar, por që njësoj si ajo, ishte energjik, i kujdesshëm dhe i devotshëm. Të bashkuar nga lidhja e martesës, ata vendosën të jetonin si vëlla e motër, duke pasur si shqetësim të tyre të vetëm ruajtjen e besimit orthodhoks dhe rivendosjen e paqes në Kishë. Me pëlqimin e papës Leon dhe të shën Anatolit, Patriarkut të Konstandinopojës (3 korrik), ata thirrën episkopë nga e tërë perandoria, të cilët u takuan nën kryesimin e tyre, në kishën e Shën Efimisë në Kalqedoni (451). Të 630 etërit e shenjtë anuluan dekretet e sinodit të rremë të Efesit, drejtësuan kujtimin e patriarkut Flavian dhe shpallën besimin e vërtetë te një Person i Krishtit me dy natyrat e Tij, duke anatemuar Eftikun, Dioskurin dhe monofizitët e tjerë.
Pas kësaj fitoreje të madhe, Markiani qeverisi perandorinë me drejtësi dhe kujdes. Ai shpalli ligje të dobishme, u vuri taksa të rënda hunëve të Atilës, ngriti spitale, azile dhe institucione të tjera bamirësie, ndërtoi kisha të mrekullueshme (duke përfshirë edhe Vllahernën) dhe së bashku me shën Pulkerinë i dha popullit shembullin e një jete të pastër dhe të pëlqyeshme për Perëndinë. Me rastin e një litanie të madhe, që zgjati për shumë orë, duke përshkuar mbarë qytetin, dy sovranët, që e ndoqën të gjithën më këmbë, të shoqëruar nga patriarku, detyruan edhe personalitetet e oborrit perandorak të bënin të njëjtën gjë.
Pasi i zbukuruan diademat e tyre me emblemat e pavdekshme të besimit të mirë, ia dhanë në paqe shpirtin e tyre Perëndisë; Pulkeria më 453 dhe Markiani më 457.
Mbrapa
