Sarveli ishte prift idhujtar në qytetin e Edhesës, në kohën e sundimit të Trajanit (rreth vitit 115). Një ditë, teksa përgatitej të kryesonte një festë pagane, i veshur me të gjitha stolitë e arta dhe gurët e çmuar, episkopi i shenjtë i qytetit, Varsimeu, i cili shumë herë i kishte bërë thirrje të braktiste kultin e idhujve, doli para tij dhe i shpalli borxhin e rëndë që kishte për të larë para Perëndisë për aq shumë shpirtra që i drejtonte në humbje. I prekur nga hiri i Krishtit, Sarveli e përfundoi celebrimin, por të nesërmen shkoi dhe e gjeti episkopin bashkë me të motrën e tij, Vivajën, i ra në këmbë dhe i kërkoi ta pagëzonte në atë çast. Lajmi i kthimit të priftit pagan e habiti qytetin dhe guvernatori Lisia e nxori menjëherë Sarvelin para gjyqit.

E torturuan dhe më pas e burgosën. Dy muaj më vonë i bënë tortura të reja, pasi e morën edhe shumë herë në pyetje, pastaj e dënuan të sharrohej më dysh dhe ia prenë kokën. Gjatë asaj torture të tmerrshme martiri i shenjtë qëndroi i patundur, sikur shpirti i tij të gjendej në qiell. Pastaj, kur ia prenë kokën, e motra, e cila kishte marrë pjesë në ekzekutimin e tij, shtriu mbi trupin e shenjtit një shall, që të mblidhte gjakun, duke thënë: “U lidhtë shpirti im me tëndin pranë Krishtit, të Cilin e njoh dhe e besoj”. Kur njerëzit përreth i dëgjuan këto fjalë, shkuan e ia thanë guvernatorit, i cili dërgoi ushtarë t’ia prisnin kokën në vend edhe së motrës. Kështu, ajo e përzjeu gjakun e saj me atë të vëllait dhe u bashkua me korin e martirëve të shenjtë. Të krishterët erdhën dhe i mblodhën trupat e tyre dhe i varrosën në varrin e episkopit të shenjtë Abselam.




Mbrapa

PayPal