
Apostull Pavli njihet si kolosi i Krishterimit. Lindi nga prindër judenj të shquar e shpresëtarë në Tarso të Kilikisë (Azia e Vogël Juglindore) midis viteve 5 dhe 15 pas Krishtit. Shën Pavli quhej Saul, Savlos (hebraisht; i kërkuar nga Perëndia), por u bë i njohur në Perandorinë Romake me emrin latin Pavli (i vogël). Mësoi zanatin e bërjes së çadrave dhe thelloi dijet në kulturën greke, madje dhe në atë hebraike dhe u bë farise aq i zellshëm, saqë kur qe i ri, mori pjesë indirekt, në vrasjen me gurë të shën Stefanit (27 dhjetor), duke ruajtur rrobat e atyre që e qëllonin shenjtorin me gurë. Më vonë ai e përndoqi tmerrësisht Kishën… Pikërisht, duke shkuar në përndjekjen e besimtarëve në Damask të Sirisë, në vitin 34, dëgjoi në një vizion verbues Zotin: “Përse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh me shkelma gjembave…” (Vep. 26:14). Atëherë verbohet për tri ditë, gjatë të cilave qëndron pa ngrënë. Zoti, me anën e një vegimi, urdhëroi apostull Ananian (1 tetor) të shkonte të gjente Saulin, i cili ndërkohë lutej dhe në vegim shikonte Ananian që vinte për ta shëruar.
Anania heziton për t’iu bindur porosisë hyjnore, sepse e dinte namin e Saulit si persekutor manjak i të krishterëve, i cili qëllimisht mbërriti në Siri: Vinte për t’i arrestuar dhe për t’i çuar në Jerusalem të krishterët që të dënoheshin aty. Por Zoti këmbënguli, sepse ky armik do të shndërrohej në “enë të zgjedhur”, në instrument të zgjedhur të Tij! Atëherë Anania shkon në shtëpinë që i tregon Zoti, vendos duart mbi të verbrin dhe i thotë se e kishte dërguar Ai për ta shëruar, që të shndërrohej në predikues të Tij “para kombeve dhe mbretërve”! Dhe urdhëron: “Vëlla Saul, shih përsëri”! Ca si luspa ranë nga sytë e tij, dhe menjëherë iu kthye shikimi! Ngrihet, pagëzohet nga Anania, ha, forcohet, ripërtërihet.
Më pas përcjell shumanshmërinë e tij të pakonceptueshme “prej mallkimit të ligjit (të pazbatueshëm)” të Dhiatës së Vjetër te Hiri çlirues i Dhiatës së Re. Sinodi Apostolik i vitit 49 miraton tezën e tij, se të krishterët, që më parë ishin idhujtarë, nuk janë të detyruar të respektojnë porositë e Moisiut. Dhe hapet rruga për mbarë botën! Vetë ai bëhet “apostulli i kombeve”. Në të katër udhëtimet e tij plot dinamizëm të paimagjinuar dhe vetësakrificë (v. 47-64), përhap lajmin e Shpëtimtarit në shumë popuj, duke kryer mrekullira. U zbulon dhe athinasve Perëndinë e panjohur, që respektonin.
Ndërkaq, zemërimi i bashkatdhetarëve të tij i shkaktoi shumë të këqija në vende të ndryshme dhe së fundi arrestimin e tij në Jerusalem (v. 57). Duke pasur qytetarinë e privilegjuar romake, lundron i lidhur për t’u gjykuar nga Qesari në Romë, ku mbërrin në vitin 59, pas mbytjes së anijes në Maltë. Në vitin 61 lirohet dhe vepron derisa burgoset përsëri në vitin 64 në Romë, ku, sipas traditës, i pritet koka në kohën e Neronit (54-68) midis viteve 64-68. Teologjia e 14 Letrave të tij vulos tërë gjerësinë e dogmës dhe të moralit.
Të paktën një Letër të tij (dërguar Romakëve) duke e diktuar ai vetë, e shkroi apostull Terti (30 tetor). Duhej shkruesi, sepse ai, kolosi Pavël, udhëtoi nëpër botë dhe ndriçoi, por ndoshta i ishte dëmtuar shikimi. Kjo duket se është “gjembi në mish, engjëlli i satanait” që e fshikullonte për të mos u mburrur se kishte zbulesën e Parajsës. Shumë herë i ishte lutur Zotit që ta shëronte, por i ishte përgjigjur se mjaftonte Hiri që i jepte, sepse fuqia hyjnore tregohet më së miri kur kryen vepra të mëdha nëpërmjet njerëzve të dobët. Që atëherë gëzohej për sëmundjet. Për sëmundjen e tij të syve, ai flet jo në mënyrë të drejtpërdejtë në Letrën dërguar Galatianëve. Të tjerë shëronte, veten e tij jo! Ky qe Pavli i madh.