Mësuesi i Kishës, Sofron Efsev Jeronimi (greqisht: me emër të hyjshëm), lindi në vitin 347 në Dalmaci (Sllovenia e sotme), nga prindër të krishterë të pasur. Që herët u shqua për aftësitë e tij dhe u edukua në Romë për retorikë, filologji dhe filozofi greke e latine.

Në moshën 18-vjeçare u pagëzua nga papa shën Liberi (27 gusht), por më pas bënte një jetë të çrregullt… Ndryshoi kur shkoi në Francë dhe nisi të merrej me teologji.

Në vitin 373 nisi një udhëtim, duke kaluar nga Greqia dhe Azia e Vogël, për në Antioki të Sirisë, ku mësoi interpretimin e Shkrimit. Pasi u shërua nga një sëmundje e rëndë, mësoi hebraishten, ndërsa paralelisht punonte për të jetuar.

Në Antioki (376), u dorëzua, pa dëshirën e tij, presviter, por nga përulësia asnjëherë nuk kreu detyrat e priftit dhe rronte si murg i thjeshtë!
Në vitin 378 ose 379 shkoi në Konstandinopojë për të mësuar për dy vjet pranë shën Grigor Theologut (25 janar) dhe këtu u lidh edhe me shën Grigorin e Nisës (10 janar).

Për shkak të problemeve kishtare shkoi në Romë (382) ku u njoh me shën Epifanin e Qipros (12 maj), udhëhoqi shpirtërisht një shoqëri virgjëreshash fisnike dhe punoi si këshilltar i papa Damasit, pasardhës i të cilit do të bëhej ai në fron, nëse nuk do të reagonin disa klerikë të keqdashës… Mësoi për pak kohë në Aleksandri pranë Didimit të verbër.

Më pas shkoi në Nitri të Egjiptit dhe së fundi, në Betlehem (386), ku krijoi dy manastire: Manastirin e burrave, të cilin e drejtonte vetë, dhe atë të femrave, që e drejtonte patricia romake, Paola, e cila ishte një grua e ve, e ëma e virgjëreshës Eustaci.

Jeronimi fjeti në vitin 420 dhe lipsani i tij u transferua në shekullin e 14-të në kishën Santa Maria Maxhore të Romës.
La një volum të madh shkrimesh historike, kundërshtimesh ndaj herezive etj., dogmatike, si dhe letra, omeli, përkthime të teologëve të Lindjes, të çmuara për Perëndimin dhe, kryesisht, përkthimin latinisht të Shkrimit të Shenjtë, Vulgatën, që mënjanoi përkthimin më të vjetër, Italën. Shkroi gjithashtu edhe “Për (135) burra të shquar (të Kishës)”.




Mbrapa

PayPal