
Nuk dihet kur dhe ku jetoi. Jeta e tij përbën një shembull klasik të mashtrimit të murgut: Kryente ushtrime të tepërta, duke synuar arritje të larta, por me vullnetin e tij, d.m.th. pa u udhëhequr nga ndonjë jeront, pasi e quante veten të mjaftueshme për arritjen e shpëtimit. Kështu “virtyti” i tij në vend që t’i bënte mirë, i shkaktoi të keqen më të madhe: e çoi drejt mendjemadhësisë dhe vetëmburrjes. Ëndërronte duke u mburrur si të ishte njohësi më i madh i rrugës së shenjtërimit!
Kësaj gjendjeje gjoja të përsosmërisë iu përshtat edhe gjoja epifania (shfaqja hyjnore): Iu shfaq djalli si engjëll drite dhe e urdhëroi që të pastronte e të rregullonte qelinë e vet, sepse po atë mbrëmje do të vinte Krishti, i kënaqur nga jeta që bënte, për t’i dhënë hirin! Dhe ai i shkreti e besoi mashtrimin dhe natën ia hapi derën “Krishtit”, hyri djalli me një suitë të tërëndritur, dhe murgu u ul në gjunjë dhe iu fal, ai e goditi në ballë dhe në çast u zhduk tërë madhështia, dhe i gënjyeri mbeti i vetëm duke qarë në qelinë e tij bosh.
Në mëngjes, duke vajtuar vrapoi te një jeront, i cili, ngaqë kishte përvojë të madhe, pa e dëgjuar, kuptoi se çfarë i kishte ndodhur. E qortoi, e këshilloi dhe e sistemoi: E dërgoi nën bindje në bashkëjetesë me murgjit e tjerë, ku, duke lënë stërmundimet e tepërta, shërbeu në kuzhinë për 7 vjet. Më pas jetoi edhe 7 vjet të tjera i vetëm në qeli, por tashmë duke punuar dhe duke ndjekur rrugë të drejtë shpirtërore, rrugë e cila e bëri “dallues”, d.m.th. të aftë për të dalluar në mënyrë të pagabueshme vullnetin e vërtetë të Perëndisë, madje e bëri edhe mrekullibërës! Fjeti në paqe.
Theksojmë se ka raste, si rasti i mësipërm, ku Perëndia ndërhyn në mënyrë shpëtimtare. Ndërkaq, në raste të tjera, ndoshta për shkak të ngurtësisë morale, djalli i shkatërron trupërisht dhe shpirtërisht të gënjyerit, duke i ftuar p.sh. t’i falen atij në një fron fantastik, i cili në të vërtetë ndodhet në humnerë, në kaos.