Abo (arabisht: atë) ishte një i ri arab nga Bagdadi, kryeqytet i Kalifatit, që në gjysmën e dytë të shekullit të 13-të shtrihej deri në perandorinë e vjetër perse. I rritur në besimin mysliman dhe i mësuar në artin e parfumeve dhe të shkrimeve arabe, hyri në shërbim të princit të Gjeorgjisë, Nersis, i cili ishte i burgosur në Bagdad.

Kur ky i fundit u lirua nga Kalifi i ri (776) dhe mundi të rimerrte mbretërinë e krishterë të Gjeorgjisë, Abo e ndoqi në këtë tokë të largët, mësoi gjuhën, u interesua për kulturën e popullit, por, mbi të gjitha, i prekur nga bukuria e traditave të krishtera, filloi të studionte me zell Shkrimin e Shenjtë dhe dogmat e Kishës. I bindur se në to gjendej e vërteta, nuk mundi të pagëzohej nga frika se mos vritej nga saraçenët dhe jetonte si i krishterë i fshehur.

Pas 3 vjetësh, kur Nersis humbi favoret e Kalifit, Abo e shoqëroi në arratisjen e tij drejt vendit të Khazarëve (në veri të Kaukazit), popull i ashpër dhe luftarak, por që njihte Perëndinë si krijues dhe që i mikpritën. Abo mundi të pagëzohej në emër të Shën Trinisë dhe të lutej e të kreshmonte lirshëm, duke ndjekur zotërinë e tij në çdo sprovë. Gjatë kreshmës, megjithëse jetoi në qytet, asketizoi në të njëjtën mënyrë si etërit e shkretëtirës, duke nënshtruar kryengritjet e trupit me mendje dhe duke larguar sulmet e demonëve me heshtje e agripni.

Kur Nersis u lejua të hynte përsëri në atdheun e tij, Abo këmbënguli ta shoqëronte dhe do të zbulonte publikisht te miqtë e tij të vjetër kthimin e tij në të krishterë. “Çfarë merite do të kem nëse qëndroj në këtë vend ku nuk ka as rrezik dhe as rast për të vdekur për Krishtin?” thoshte ai. Pasi arritën në Tbilis, rrëfeu hapur besimin e tij të krishterë me gjithë fyerjet e kërcënimet që pati.

Përfundimisht, u ndalua në fund të vitit 785 dhe doli para gjyqit të emirit. E futën në burg, ku, i lidhur me zinxhirë të rëndë, qëndroi 10 ditë në agjërim, lutje dhe adhurim. Në çastin e fundit, pasi lajmëroi shokët e tij se bashkimi me Krishtin ishte i afërt, shiti rrobat e tij dhe kërkoi të digjeshin temjan e qirinj në gjithë kishat e qytetit, me qëllim që të forcohej nga lutjet e Kishës.

Natën e festës së Theofanisë e kaloi duke qëndruar më këmbë dhe, me dy qirinj të ndezur që mbante në dorë, tha: “Ashtu si Zoti Jisu Krisht zbriti në ujërat e Jordanit, i zhveshur për t’u pagëzuar, tani është radha ime të zbres në ujërat e shenjta për t’u pagëzuar me zjarrin dhe Frymën në gjakun tim…”. Lau fytyrën, u vajos me aroma dhe psali: “Le të vrapojmë pas teje në rrjedhën e parfumeve” (Kantiku 1:4).

Pasi u kungua me Misteret e Shenjta, ngushëllonte të krishterët që vajtonin për të dhe shkoi te xhelatët, duke thënë: “Mos vajtoni për mua, por gëzohuni se shkoj drejt Zotit tim”. Kur i hoqën zinxhirët, hoqi tunikën dhe i zhveshur shkoi drejt “pagëzimit” me gëzim e duar të kryqëzuara. E zgjati vetë kokën që t’ia prisnin. Nga frika se mos vinin dhe e nderonin trupin e tij, saraçenët e dogjën dhe mbetjen e hodhën në lumë bashkë me dheun që ishte përzier me gjakun e shenjtit. Një kolonë zjarri u shfaq në vendin e ekzekutimit dhe mbi ujëra; kështu besnikët mundën të nderonin denjësisht lipsanin e tij.




Mbrapa

PayPal