Dhimitri, i riu 25-vjeçar, me trup të bukur dhe i sjellshëm, shërbente si arkëtar në një tavernë në Galatë, lagje në Konstandinopojë. Disa lazikë të ashpër e të dhunshëm, të cilët frekuentonin këtë vend, ishin përpjekur shpesh ta kthenin në besimin e tyre. Një ditë, ndërsa ishin të dehur, filluan të ziheshin, dhe njëri prej tyre u godit me thikë. Dhimitri me kolegët ndërhynë, i ndanë dhe i përzunë, urdhëresa e sulltanit u jepte të drejtë kamerierëve të ndërhynin në zënkat e klientëve të dehur, për t’i ndarë. Të nesërmen, ata, plot zemërim, e çuan të plagosurin te veziri, duke akuzuar njëkohësisht edhe të riun e krishterë. E kapën menjëherë, dhe gjykatësi e njoftoi të zgjidhte ose Islamin, ose vdekjen. Duke mbrojtur pafajësinë e tij, Dhimitri deklaroi se ishte gati të vdiste i krishterë. U mor vendimi dhe e shpunë në vendin e ekzekutimit, por në çastin e fundit veziri urdhëroi që ta sillnin edhe një herë për ta pyetur. Tentoi më kot ta joshte me lajka e premtime, pastaj e dorëzoi tek ata që e akuzuan, të cilët e hoqën zvarrë deri te taverna ku ishin mbledhur edhe një grup i madh turqish, që ta bindnin të mohonte besën. Të gjitha këto tentativa dështuan, prandaj ia prenë kokën para tavernës.

Për net të tëra, një dritë qiellore ulej mbi trupin e shenjtë, të cilin e bleu një i krishterë për ta varrosur denjësisht. Kohë më vonë, të njëjtët njerëz që akuzuan shenjtin, të mbushur me urrejtje, shkuan për ta vrarë pronarin e tavernës, i cili ishte një i krishterë i nderuar.




Mbrapa

PayPal