Nën sundimin e mizorit Licinius (rreth 316), i cili e ndezi më tepër persekutimin në Perandorinë e Lindjes, prefekti Lisias arriti në Nikopojë të Armenisë, i etur për të derdhur gjakun e kujtdo që s’do pranonte dekretet perandorake.
Fisnikët e parë të qytetit: Leonti, Mavriku dhe Danieli, dhe dyzet të krishterë të tjerë dolën me dëshirë para tyre dhe rrëfyen me burrëri se ishin dishepuj të Krishtit. Ata e ftuan të kryenin misionin e tij. Lisias i nxori para gjyqit, ku Leonti deklaroi se nuk pranonin të adhuronin idhujt sepse i bindeshin porosive të Krishtit, i cili u kryqëzua dhe u ngjall për shpëtimin e gjithë njerëzve. Plot mllef nga guximi i shenjtit, prefekti urdhëroi t’ua thyenin nofullat me gurë. Meqë shokët e tyre mallkonin magjistratin, shërbëtorin e djallit, Leonti u tha këto fjalë: “Vëllezër, mos mallkoni ata që sjellin mallkim, por bekoni ata që ju persekutojnë” (Matth. 5.44). Lisiasi u përpoq t’i joshte me premtime, por shenjtorët u tallën me të. I burgosën dhe urdhëruan rojet të mos u jepnin as ushqim dhe as ujë, edhe pse vapa përvëlonte. Në burg lavdëronin Perëndinë që i kishte bërë të denjë të vuanin për emrin e tij, dhe Leonti i nxiti të ngulmonin deri në fund duke kujtuar betejat e martirëve të mëparshëm. Një grua me emrin Vasila, u shpëtoi nga sytë rojeve dhe u çoi martirëve ujë për t’i freskuar. Të nesërmen në mëngjes, ata dolën përsëri para Lisias, i cili i dorëzoi në tortura të frikshme: urdhëroi t’i thernin të gjallë dhe ushtarët i fërkuan plagët e tyre me copa vazosh të thyera. Shenjtorët duruan burrërisht mundime deri në orën e gjashtë, pastaj u çuan prapë në burg, ku Vasila shkonte e i ngushëllonte.
Atë natë, një engjëll i ndritshëm iu shfaq, duke u lajmëruar se fundi i betejës së tyre tashmë ishte afruar dhe emrat e tyre ishin shkruan në qiell. Rojet Mina dhe Biriladi u bënë dëshmitarë të kësaj shfaqjeje dhe ranë në këmbët e shenjtorëve duke rrëfyer Krishtin. Martirët përqafuan punëtorët e orës së njëmbëdhjetë si vëllezër, dhe u premtoi se nuk do të privoheshin nga trofetë që u qenë premtuar. Lajmi se edhe ushtarët ishin kthyer në besim arriti deri te qeveritari, i cili vrumbulliste si luan dhe i thirri të dyzet e pesë martirët. Urdhëroi t’ua prisnin me sëpatë krahët dhe këmbët, pastaj t’i hidhnin të gjithë së bashku në furrë. Trupat i hodhën në lumin Likos dhe u gjetën nga të krishterë të perëndishëm, të cilët i sollën në Nikopojë, ku nderohen si shenjtorë mbrojtës.




Mbrapa

PayPal