Kristofori rridhte prej kanibalësh. U zu rob në një betejë nga ushtria e Decit (249 – 251). Iu lut Krishtit, edhe pse i papagëzuar, që të mësonte gjuhën vendase, gjë që u bë realitet sapo një engjëll i preku buzët. Meqenëse tashmë ai fliste hapur në favor të të krishterëve, u arrestua nga një kompani e tërë prej 200 burrash, sepse fizikisht ishte i pamposhtur madje në fytyrë ngjante me qen, ndaj dhe disa herë në ikona është pikturuar si “fytyrë-qen” nga keqkuptimi.

Ushtarët besuan te Krishti, kur Kristofori me lutje u shumoi bukët e fundit që u kishin mbetur. Ata kishin parë shkopin e tij të lëshonte kërcinj, edhe pse ishte i thatë. Ndaj, u pagëzuan që të gjithë, së bashku me shenjtorin, në Antioki nga hieromartiri, Babila (4 shtator).

Kristofori (greqisht do të thotë: mbartës i Krishtit), i cili më parë quhej Reprev (do të thotë: i shëmtuar, i neveritshëm), iu lut atyre ta çonin para Decit, i cili ndodhej në Antioki. Ky dha urdhër dhe mbi të vunë një peshë, e varën nga flokët dhe e shpuan me shpata. Më pas, ndërroi taktikë: U përpoq ta gënjente me gratë immorale Kaliniki dhe Akilina. Por arriti të kundërtën: Këto të fundit u kthyhen të krishtera! Akilina u var, ashtu si edhe Kristofori më parë, ndërsa Kaliniki, duke u shtirur se do të flijonte te idhujt, i rrëzoi ato. Të dyja gratë u kaluan në hell. Më pas iu pre koka të 200 ushtarëve.

Idhujtarët i veshën shenjtorit trim një veshje metalike dhe e hodhën në zjarr, pastaj e hodhën në pus, duke i varur në qafë një gur të madh. Në të dyja rastet një engjëll e ruajti të pacenuar, ndaj ata, të turpëruar, i prenë kokën. Ai nderohet si mbrojtësi i automobilistëve, sepse, sipas një gojëdhëne, ai rrinte në një lumë dhe si hamall kalonte matanë udhëtarët duke i mbajtur mbi supe, siç e kishte këshilluar një murg. Kjo ndodhi edhe me Jisuin, që iu paraqit si fëmijë.




Mbrapa

PayPal