
Ishin bashkëshortë në Tebë të Egjiptit dhe u martirizuan në vitin 286. Timoteun, që ishte anagnost (lexues) në kishë dhe predikues i besimit, pa mbushur 20 ditë nga martesa e tyre, e kapën dhe e urdhëruan të dorëzonte librat e shenjtë. Kur ai refuzoi, sovrani i nguli hekura të skuqur në veshë sa i dolën sytë nga vendi. Pastaj e torturuan me “rrotën” dhe, sa herë ajo rrokullisej, thikat poshtë saj shponin trupin e tij. U shërua nga Krishti, por arkondi u inatos: i mbushën gojën me copa lecke si fre, i lidhën në qafë një gur të rëndë dhe e sillnin vërdallë për ta poshtëruar, e varën kokëposhtë. Pastaj e burgosën.
Atëherë tirani solli Maurën. I bëri lajka, i kujtoi rininë e saj të njomë, martesën që kishte shumë pak kohë që kishte ndodhur dhe e këshilloi të zbukurohej e të shkonte ta konvertonte burrin e saj për ta shpëtuar. E reja shkoi, por u kthye ajo nga ai! Kështu i rruan kokën për ta poshtëruar, i prenë gishtërinjtë, e hodhën në ujë të përvëluar. Meqenëse mbeti e paprekur, arkondi, për të verifikuar nëse uji ishte i nxehtë ose jo, i kërkoi ta spërkaste. Vërtet, uji që e spërkati i dogji lëkurën. I zemëruar, urdhëroi ta djegin me llambadhe.
Më në fund i kryqëzoi që të dy përballë njëri-tjetrit. Ata, duke inkurajuar njëri-tjetrin, dhanë shpirt pas 10 ditësh. Djalli i paraqiti me fantazi të kryqëzuarës që digjej nga etja, një gotë me mjaltë dhe qumësht dhe pastaj një lumë të tërë me të njëjtin lëng duke e nxitur të pinte. Por trimëresha e zmbrapsi. Atëherë një engjëll e ngjiti shpirtërisht në Qiell. I tregoi atje një fron të shndritshëm dhe një kurorë të përgatitur enkas për të, dhe të njëjtat gjëra, por më të shndritshme, për burrin e saj, shkaktarin e shpëtimit të saj…
Në një fshat të Zakinthit, ishull në detin Jon, ndodhet një ikonë e saj. Thuhet se shëroi të demonizuar dhe shmangi katastrofë të kishës si edhe të besimtarëve brenda saj, kur në ditën e festës së shenjtorëve në vitin 1801, shpërtheu brenda në kishë një baule me barut.