Ishte nga Tarsi i Kilikisë. Jetoi në periudhën kur perandor ishte Diokleciani. Në atë periudhë, Roma, në të cilën jetonte dhe shenjtorja, ishte qendra e idhujtarisë, por po në atë periudhë kishte lulëzuar në Romë dhe krishterimi që po trondiste themelet e paganizmit. Nga një grua e krishterë, Pelagjia, u njoh me besimin e vërtetë. Por nëna e saj, e cila ishte e dhënë pas pasurisë, shqetësohej nga mësimet filantropike të Ungjillit. Për më tepër kur mësoi se princeshat e Romës shisnin pasuritë e tyre dhe ua ndanin të varfërve, nuk lejoi që të hynte asnjë i krishterë në shtëpinë e saj. Me gjithë pengesat që haste nga nëna e saj, shën Pelagjia arriti të plotësonte një nga dëshirat e saj të zjarrta: të njihej me disa nga këto vajza të krishtera, të cilat u mësonin njerëzve mësimet e krishtera në shtëpinë e episkopit të Romës, Eusebit.

U kthye në shtëpinë e nënës së saj, por dëshira për t`u bërë e krishterë e mirë ia kishte pushtuar shpirtin. Natën shenjtorja pa një vegim: sikur episkop Eusebi i tregonte kolimvithrën e pagëzimit. Të nesërmen, e entuziazmuar, pa i thënë gjë nënës së saj, i tregoi episkopit vegimin që kishte parë dhe u pagëzua. Pas pagëzimit, ajo nuk pranoi që të vishte veshjen e saj luksoze, por e shiti dhe paratë ua ndau të varfërve. Në vend të veshjes së shtrenjtë ajo pranoi veshjen e thjeshtë të virgjëreshave të pagëzuara.

Shenjtorja shpresonte që nëna e saj të linte mënjanë bindjet e saj pagane dhe të përqafonte Pelagjinë me dhembshurinë e nënës. Por më kot, sepse ajo do ta pranonte shenjtoren vetëm nëse mohonte Krishtin. Zemërimi i saj arriti kulmin kur shenjtorja i bëri të ditur se ishte gati të bënte gjithçka, madje të derdhte dhe gjakun e saj në qoftë se do të ishte nevoja, por nuk do të mohonte kurrë fenë e shenjtë të krishterë.

Atëherë nëna e shenjtores vuri në dijeni për pagëzimin e Pelagjisë të birin e Dioklecianit, i cili donte të martohej me të. Ai u mundua më kot ta bindte me fjalë, pasi vendimi i shenjtores ishte i prerë: “Në qoftë se do që të martohesh me mua, bëhu i krishterë”. Por si mund të bëhej i krishterë i biri i perandorit që përndiqte të krishterët? Nga dëshpërimi, ai vrau veten. Vetëvrasja e tij ndezi zemërimin e perandorit, i cili urdhëroi arrestimin e Pelagjisë dhe torturimin e saj. Shenjtorja u mbyll në një kazan bakri të skuqur më parë në zjarr. Kështu ajo u denjësua të fitonte kurorën e pavyshkur të martirizimit, me të cilën Shpëtimtari i pavdekshëm stolis shpirtrat e shenjtorëve.




Mbrapa

PayPal