Bir i Konstandin Kloroit dhe i shën Elenës. Të dhënat për origjinën e tij dhe të nënës së tij, Elenës, i japim në jetën e saj që pason. Këtu plotësojmë: Në vitin 306 ushtria e proklamoi në Britani august, perandor, pas vdekjes së të atit, perandor tashmë qysh nga viti 305. Por perandor unik u bë mbas luftërave vetëm më 324, pasi më përpara ekzistonin cezarët lokalë dhe augustët. Atëherë mori fund 40-vjeçari i përgjakur i poliarkisë.

Më përpara (313) deklaroi së bashku me august Likinin (308-323) tolerancën fetare (“Dekreti i Mediolanit”). Shpresëtarët mundeshin tashmë ta adhuronin Jisuin hapur dhe pa u penguar. Kthesa e tij përkundrejt besimit të ri justifikohet edhe nga një vizion në mes të ditës. Pa në qiell të ndriçojë një kryq me nxitjen “Me këtë fito”. Mori guxim, bëri betejën kritike në Tiveri dhe fitoi (312). Që atëherë, i barabartë me apostujt, ndihmoi në forma të ndryshme Kishën dhe u kujdes për unitetin e saj. Më 321 caktoi të dielën si festë.

Më 325 mblodhi në Nikea Sinodin I Ekumenik dhe dënoi Ariosin, megjithëse më vonë u ndikua nga motra e tij filoariane Konstandina. Midis 324 – 11.5.330 ndërtoi kryeqytetin e ri të krishterë, Konstandinopojën (do të thotë qytet i Konstandinit), kufijtë e së cilës ia kishte treguar një engjëll gjatë një vizioni (inagurimi i Konstandinopojës festohet pikërisht më 11 maj).

Më 22.5.337, i fuqishmi, guximtari, i ndjeshmi dhe i lehti në vendime, i madhi në arritje, i pari mbret i krishterë Flavius Valerius Konstandinus (latinisht do të thotë i qëndrueshëm), ndërsa përgatitej të ndërmerrte një fushatë në Persi, u sëmur dhe ndërroi jetë në Azinë e Vogël, në Nikomedi të Propondidhës. Meqenëse më përpara nuk ishte realizuar aspirata e tij të shkonte të pagëzohej në Jordan, u pagëzua atje, në Nikomedi, për t’u pastruar nga mëkatet e lehta dhe të rënda të jetës së tij tepër të dallgëzuar dhe të vrullshme.
U varros në kishën e Shën Apostujve në Konstandinopojë, të cilën e kishte ngritur vetë.




Mbrapa

PayPal