
Vinte nga qyteti i Edesës në Siri, nga një familje hebre, nga e cila kishte marrë një njohje të shkëlqyer të Shkrimeve. Shkoi në Jerusalem për një pelegrinazh dhe, kur dëgjoi shën Joan Pagëzorin të fliste për pendimin, plot entuziazëm u pagëzua prej tij. Pak kohë më vonë takoi edhe vetë Zotin Krisht. Mrekullitë e shumta që Jisui kryente dhe jeta e tij e panjollë e bindi Tadeun se ai ishte Zoti dhe kështu u bashkua me grupin e dishepujve të Krishtit dhe e ndoqi atë.
Sipas premtimit që Zoti i kishte bërë mbretit Abgar, i cili e kishte ftuar të vinte e ta shëronte, pas Ngjitjes së Zotit në qiell, ai e dërgoi Tadeun në Edesë për ta pagëzuar dhe për ta shëruar tërësisht nga lebra. Apostulli i zjarrtë e pagëzoi atë dhe shumë banorë të mbretërisë e cila ishte e para që shpalli se ishte e krishterë.
Atje apostulli ndërtoi shumë kisha dhe më pas filloi të predikonte Ungjillin e Krishtit në qytete të tjera të Sirisë, sipas disa të tjerëve në Mesopotami. Kur arriti në Berite (Bejrut), në Feniki, pagëzoi një numër të madh paganësh, atje dha dhe frymën e tij. Lipsani i apostull Tadeut u transferua në Konstandinopojë bashkë me lipsanin e shën Andreas, nga shën Artemi në vitin 337.
Mbrapa
