
Shën Partheni ishte biri i dhjakut Kristodhulos, nga Melitopolis në Helespont. Edhe pse i pashkolluar, dëgjonte me vëmendje leximin e Shkrimit të Shenjtë në kishë dhe përpiqej ta zbatonte atë në praktikë. Merrej me peshkim dhe fitimet ua jepte të varfërve, duke mos mbajtur asgjë për vete. Përdëllimi i tij u bë i njohur te të gjithë, dhe Fileti, episkopi i Melitopolis, e bindi të pranonte hirotonisjen në priftëri, me detyrë që të kujdesej për dioqezën, duke vizituar besimtarët në shtëpitë e tyre. Hiri i Perëndisë solli shumë fryte tek ai, duke kryer shumë mrekulli dhe shërime. Një ditë, takoi një njeri në rrugë, të cilit i kishte dalë syri, sepse e kishte goditur me brirë një buall. Shenjti i rivendosi syrin dhe ia shëroi. Në një rast tjetër, shëroi një grua nga një tumor vdekjeprurës, vetëm duke i bërë shenjën e Kryqit. Gjithashtu, kur një qen i tërbuar e sulmoi, ai bëri që kafsha të binte e ngordhur në këmbët e tij, thjesht pasi i fryu.
Kur pa kaq shumë shenja të dashamirësisë hyjnore, Askali, mitropoliti i Kizikës, e dorëzoi episkop të qytetit të Lampsakës, që ishte ende në prangat e idhujtarisë. Me anë të kreshmëve, lutjeve dhe fjalëve të frymëzuara, por, mbi të gjitha, me anë të shembullit të jetës së tij ungjillore, shenjtori ia doli mbanë të konvertonte të gjithë qytetin. Kur vizitoi oborrin e shën Konstandinit të Madh, ai u autorizua të shkatërronte tempujt paganë të Lampsakës dhe mori fondet për të ndërtuar një kishë. Kur u përfundua ndërtesa, sollën një gur të madh për ta vendosur mbi altar, por kau që tërhiqte karrocën u tërbua nga nxitja e djallit dhe gjithë pesha e saj ra mbi karrocierin. Shenjtori iu lut me gjithë shpirt Perëndisë dhe i vdekuri u rikthye në jetë.
Shën Partheni ishte ati i dashur dhe përkujdesja e vërtetë e atij qyteti. Ai shëronte çdo sëmundje, duke i nxjerrë mjekët të tepërt, e kjo gjë shkaktonte smirën e tyre. Njësoj si drita që shpërndan errësirën, me ardhjen e tij demonët u larguan. Një ditë ai urdhëroi një demon të dilte nga një njeri i varfër, por shpirti i keq i tha: “Më jep një vend ku të jetoj deri në ditën e frikshme të Gjyqit ose, të paktën, të shkoj të banoj në tufën e derrave (Matth. 8:32). “As nuk bëhet fjalë”, u përgjigj shenjtori, “por kur të dalësh nga ky njeri i gjorë, është një tjetër që po të pret të shkosh”. “Cili është ky?”- “Jam unë! Eja dhe bano tek unë!”. Shpirti i keq iku kur dëgjoi këto fjalë, duke thirrur sikur po e rrihte njeri me kamxhik: “Si mund të futem në shtëpinë e Perëndisë? E madhe është fuqia e të krishterëve!”.
Një ditë Partheni shkoi në Heraklea, kryeqytet i Thrakës, ku episkop Hipatiani ishte shumë i sëmurë. Perëndia ia zbuloi se arsyeja e sëmundjes ishte koprracia e tij. “Ngrihu!” i tha ai episkopit. “Nuk vuan nga sëmundje trupore, por nga shkaqe shpirtërore. Lëri të varfrit të kenë të mirat që ti i ke marrë prej tyre dhe do të shërohesh”. I ndërgjegjshëm për mëkatin e tij, Hipatiani ia dha Parthenit gjithë pasurinë, që t’ua ndante njerëzve të varfër. “Jo, i tha Partheni përderisa Perëndia të ka dhënë fuqi, të takon ty t’u japësh të varfërve atë që kanë të drejtë të marrin”. Mitropoliti shkoi më pas në kishën e Shën Gliqerisë, mbrojtësja e qytetit, dhe atje ua shpërndau të varfërve gjithë pasurinë. Pas 3 ditësh u shërua.
Për sa kohë qëndroi në Heraklea, shën Partheni shëroi shumë të tjerë dhe bekoi fushat e të mbjellat, duke parashikuar edhe të korrat. Kur u nda me mitropolitin, shenjtori i paratha se atij vetë po i afrohej largimi nga kjo botë dhe i tregoi se kush do të ishte pasuesi. Pak kohë pasi u kthye në Lampsakë, dha frymën te Perëndia, duke shpërndarë në grigjën e tij aromën e mirë të mrekullive dhe shembullin e shkëlqyer të jetës. Sapo mësuan për largimin e tij nga kjo botë, episkopët e krahinave përreth erdhën për t’i bërë nderimet e duhura, duke iu përgjëruar Perëndisë me lutje dhe falënderime të nxehta.