Ishte një skllav i fuqishëm dhe i egër etiopas i një personaliteti të Egjiptit, në shek. IV dhe e quanin edhe “Murin”, për ngjyrën e zezë të lëkurës. Kreu një vrasje ndaj i zoti e dëboi dhe përfundoi në shkretëtirë, ku u bë kryetar i një bande grabitësish. Ishte kaq i egër dhe kreu kaq vrasje e krime, sa njerëzit dridheshin vetëm kur i dëgjonin emrin. Por pas disa kohësh të një jete të tillë mëkatare u ndriçua nga Perëndia, u pendua dhe shkoi në një nga manastiret e shkretëtirës. Në fillim murgjit nuk e pranuan, se nuk ishin të bindur për qëllimet e tij, por u tregua aq i vendosur në pendimin e tij, sa e pranuan. U pagëzua dhe më pas u tërhoq në një qeli të vetmuar, ku luftoi kundër zakoneve të tij të vjetra me kreshmë të forta dhe agripni.

Virtyti i tij nxiti kureshtjen qeveritarit të zonës për ta parë. Oshënari e takoi, por duke u shtirur sikur ishte një tjetër, e shau kaq shumë Moisiun, saqë miku mori rrugën e kthimit i mërzitur. Kur e morën vesh murgjit e tjerë, u çuditën shumë që ekzistonte një njeri i cili mund të shpifte për oshënarin e shenjtë. Por, nga përshkrimi, kuptuan se ishte Moisiu që kishte shpifur për vetveten. Kështu qeveritari iku me dobi shpirtërore.

Një herë tjetër, lidhi katër hajdutë nga banda e tij e vjetër, të cilët u munduan ta grabisnin dhe, duke i transportuar “si një barrë kashtë”, i çoi para jerondëve, të cilët i thanë t’i linte të lirë. Edhe ata u penduan dhe u bënë nxënës të tij, si, siç bëri më vonë edhe pjesa tjetër e bandës.

Një herë tjetër, për ta provuar në përulësi e dëbuan nga Liturgjia Hyjnore (sepse ishte edhe prift), duke e fyer shumë në lidhje me shëmtinë dhe ngjyrën. Me përulësi pranoi sharjet, ndaj e thirrën përsëri, dhe ai, me të njëjtën përulësi, u kthye të merrte pjesë në shërbesë.

Fjeti në paqe në moshën 75-vjeçare, duke lënë mbi 70 nxënës. Sipas një varianti tjetër, për t’i falur Perëndia mëkatet që kishte bërë, sipas fjalëve të Ungjillit: “Të gjithë ata që ngritën shpatën, prej shpatës do të vdesin” (Mat.26.25), kur u lajmërua nga Perëndia se banditët do sulmonin manastirin dhe do vrisnin murgjit, vendosi të qëndronte, por u tha nxënësve të largoheshin. 6 nga ata qëndruan bashkë me të dhe u vranë të gjithë rreth vitit 400.




Mbrapa

PayPal