
Shën Evodi ishte një nga shtatëdhjetë dishepujt e Zotit dhe episkop i parë i Antiokisë, i caktuar nga apostulli Petro kur u largua për në Romë. Thuhet se ne ia detyrojmë Evodit mbiemrin “i krishterë” për anëtarët e Kishës (Vep. 11.26). Shën Ignati, pasuesi i tij në fronin e Antiokisë, në një nga letrat që i drejton grigjës shkruan: “Kujtoni Evodin e bekuar, bariun tuaj, që ishte i pari pas apostujve që pati përgjegjësinë e kishës suaj. Tregojeni veten të denjë për një atë të tillë dhe mos u bëni si fëmijët që vijnë nga shkelja e kurorës”. Evodi e udhëhoqi grigjën e Zotit me urtësi, e ruajti veten të pathyer nga bota dhe pastaj u largua në paqe drejt banesave të të drejtëve. Disa thonë se vdiq si martir në kohën e martirizimit të Neronit (viti 64 pas Krishtit) ose pak kohë më vonë.
Shën Onisifori përmendet me mirënjohje nga shën Pavli në letrën e dytë drejtuar Timotheut: “Zoti dhëntë përdëllim në shtëpinë e Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, por kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Ai në atë ditë. Dhe sa më shërbeu në Efes, ti e di mirë” (II Tim. 1.16-18).
Shën Onisifori u bë episkopi i parë i Kolofonit në Azinë e Vogël dhe qëndroi besnik në besimin dhe në predikimin e Lajmit të Mirë, madje edhe duke derdhur gjakun e tij.
Mbrapa
