Sot Kisha jonë feston kujtimin e Hyjprindërve të shenjtë Joakim dhe Ana sepse ata u bënë shkak i një gëzimi mbarëbotëror me lindjen e Hyjlindëses Mari. Joakimi ishte nga fisi i Judës ndërsa Ana ishte nga fisi i Levit. Sipas traditës së shenjtë prindërit e Shën Marisë, Joakimi dhe Ana mbetën pa fëmijë për shumë vite dhe shterpësia e pamundësia e pasjes së një fëmije, sipas mendësisë hebraike, konsiderohej si një mallkim prej Perëndisë. Të dy ishin shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë, të drejtë dhe shpresëtarë, por lutjet e tyre për një fëmijë nuk kishin marrë përgjigje.
Një ditë kur Joakimi erdhi të bënte ofrimin e tij në tempull, ngaqë s’kishte fëmijë, ai u kthye nga kryeprifti i cili e qortoi me ashpërsi. I hidhëruar dhe i dekurajuar, Joakimi u largua në një vend të vetmuar për të fshehur turpin e tij. Teksa ishte duke u lutur tek Perëndia, qëlloi që edhe gruaja e tij, Ana, lutej për të njëjtën gjë në të njëjtën kohë. Atëherë një engjëll iu shfaq të dyve duke lajmëruar se Ana do të mbarsej me një fëmijë, emri i të cilit do të bëhej shembull për gjithë botën. Premtimi i engjëllit u përmbush dhe Ana lindi një vajzë, Marinë. Të dy prindërit premtuan se vajzën e lindur do t’ia përkushtonin Perëndisë, premtim që e mbajtën kur Maria u bë tre vjeç.
Pas kësaj, Joakimi dhe Ana e kaluan pjesën tjetër të jetës me kreshmë, lutje dhe lëmosha për të varfërit. Joakimi dhe Ana dorëzuan shpirtin e tyre në paqe tek Perëndia duke trashëguar të mirat e përjetshme, pasi vetë Zoti na siguroi se të drejtët do të shkojnë në jetën e përjetshme.




Mbrapa

PayPal