Vinte nga një familje e thjeshtë fshatare. U tërhoq në një manastir, ku ndihmonte në kuzhinë dhe kryente punët më të përulura. Shumë vëllezër filluan ta tallnin, por ai duronte me butësi çdo përbuzje. Në manastir ishte një prift, mik i Perëndisë, i cili dëshironte me zjarr që Zoti t’i zbulonte se cilat ishin të mirat që Ai ruan për ata që e duan. Një natë, teksa flinte, në ëndërr iu duk sikur u ngjit lart në Parajsë, në një kopsht të mrekullueshëm. Në mes të kopshtit ndodhej Efrosini, i cili shijonte nga të mirat e tij bashkë me engjëjt. Prifti iu afrua dhe e pyeti se ku gjendeshin, dhe Efrosini iu përgjigj: “Kjo është banesa e të zgjedhurve të Perëndisë që ti dëshiron të shohësh prej kohësh. Unë jam këtu nga mirësia e Perëndisë, i Cili deshi të më falte mëkatet”. Pasi pa të mirat që gjendeshin atje, prifti e pyeti Efrosinin nëse mund të merrte disa nga frutat e kopshtit. Atëherë shenjti mori tri mollë dhe i vuri në xhepin e palltos së priftit. Në atë çast ai u zgjua nga kambana e manastirit, e cila binte për shërbesën e mëngjesit. Pasi u kthjellua nga gjumi dhe ëndrra, befas gjeti në pallton e tij tri mollët, të cilat lëshonin një aromë të mrekullueshme e të panjohur ndonjëherë më parë.
Kur shkoi në kishë, dalloi Efrosinin i cili po qëndronte në vendin e tij si zakonisht dhe pasi iu afrua, iu lut t’i tregonte se ku ishte natën që kaloi. Ai iu përgjigj: “Më fal atë, por isha këtu ku ti po më gjen tani”. Por prifti shpresëtar këmbënguli që të mos i fshihte bamirësitë e Perëndisë. Atëherë Efrosini i tha: “Po atë, isha në atë kopsht ku ti pe të mirat që Perëndia ruan për të zgjedhurit e Tij. Kështu Perëndia të zbuloi këtë mister”. Atëherë prifti dëshmoi te të gjithë për këtë zbulim dhe tregoi mollët si shenjë. Falë kësaj shenje, murgjit u ndihmuan shumë në rrugën e vështirë të virtytit dhe ata që hëngrën prej këtyre mollëve u shëruan nga çdo lloj sëmundjeje. Sa për Efrosinin e lumur, i cili u ruhej lavdërimeve të njerëzve, iku dhe u fsheh nga manastiri.




Mbrapa

PayPal