Ishin një çift bashkëshortësh që banonin në Nikomedi të brigjeve aziatike të Propontidës, në kohën e Maksimianit (286-305). Gjatë përndjekjeve njerëzit e perandorit zbuluan të fshehur nëpër shpella 23 të krishterë, të cilët u dënuan me mënyra të ndryshme. Oficeri idhujtar Adriani, 28 vjeç, mbeti i mahnitur nga durimi i tyre dhe i pyeti për shkakun e dënimeve. Ata iu përgjigjën se e bënin për hir të shpërblimeve qiellore të Perëndisë. Ai u prek kaq shumë, sa kërkoi që të përfshihej edhe emri i tij në listën e tyre. Ndaj tirani, pasi e mori në pyetje, e burgosi.

Gruaja e tij, Natalia, që ishte e krishterë, vajtonte sepse nuk i dinte akuzat që i kishin bërë. Por, kur mori vesh shkakun, veshi rrobat më të mira dhe shkoi në burg. Puthi zinxhirët e të shoqit dhe i dha kurajë. Më pas vajti përsëri me gra të tjera shpresëtare dhe mjekuan atletët e besimit. Kur Adriani mori leje për të parë shtëpinë, kur shkoi atje, Natalia kujtoi se mos mohoi Krishtin, e ofendoi rëndë dhe e la jashtë në rrugë! Por, kur u bind për të kundërtën, ajo lumuroi veten si bashkëshorte martiri.

Pasi tirani e rimori në pyetje, urdhëroi ta rrihnin dhe pastaj e hodhën në tokë dhe e goditën në mënyrë të tmerrshme me shkopinj në bark, saqë i dolën zorrët. Ndërsa trimëresha e re Natalia, nga njëra anë i jepte të shoqit guxim dhe nga ana tjetër nxiste xhelatin. Adriani, së bashku me 23 shenjtorët e tjerë, duroi i pathyeshëm vdekjen e tmerrshme me anën e prerjes së gjymtyrëve. Heroina mbajti njërën dorë të të shoqit si thesar dhe u lye me gjakun si me miro. Një shi i fortë shoi zjarrin ku kishin hedhur lipsanet e martirëve.

Një besimtar i çoi lipsanet në Bizant, ku edhe Natalia e kaloi jetën që i kishte mbetur, derisa fjeti dhe u varros pranë tyre. Shenjtorja quhet edhe “martire”, pa qenë e tillë, pasi u martirizua jo realisht por vetëm “sipas dëshirës” për t’u martirizuar.




Mbrapa

PayPal