
Ishte shpallur nga Konstandini i Madh (21 maj) dukë dhe komandant për gjithë Afrikën. Dikur u thirr nga perandori Julian Shkelësi (361-363), për ta takuar në Antioki.
Kur ai u kthye nga Aleksandria, perandori torturonte me pesëqind goditje me shkopinj priftërinjtë Evgjen dhe Makario (19 shkurt), të cilët duronin pa rënkuar. Duke menduar se mos ndoshta heshtja e tij do të ishte e barazvlershme me dezertimin, nga njëra anë ai kontrolloi arrogancën e mbretit, që edhe ai ishte njeri si të tjerët, ndërsa nga ana tjetër shpalli Shpëtimtarin.
Mosbesuesi u shastis dhe pyeti kush ishte, sepse nuk e njihte personalisht. E informuan dhe u gëzua, sepse do të hakmerrej për vëllanë e vet, Galin, që kujtonte se e kishte ekzekutuar Artemi. Por atë e kishte vrarë në vitin 354 mbreti bamirës dhe kushëriri i tij, Konstandi (337-361), si njeri tinzar.
Prandaj atletin e tendosën dhe e fshikulluan egërsisht, pastaj e futën në burg. Më pas u thirr nga Julian Shkelësi për të bërë flijime, që të shpëtonte, edhe pse sipas mendimit të tij i kishte vrarë të vëllanë. Madje do ta shpallte mëkëmbës të tij dhe kryeprift të perëndive. Martiri i provoi se s’kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të vëllait.
Në një diskutim theologjik e mundi renegatin, i cili urdhëroi t’i çirrnin kurrizin me rrodhe dhe t’i shponin brinjët dhe qepallat me ashkla të ndezura. Ai as nuk rënkoi dhe prandaj e rifutën në burg pa ushqim dhe pa ujë, por natën pa Krishtin, që e shëroi në çast.
Pas 15 ditësh Juliani shkoi në Dafni, rrethinë e Antiokisë, që ishte me famë për florën dhe ndërtimet e saj, në veçanti për tempullin me statujën e Apollonit, të dëgjuar në mbarë botën. Por demoni që ishte atje nuk i dha fjalën “hyjnore”, madje natën një zjarr dogji tempullin.
Tirani i zemëruar mbylli kishën e krishterë, sekuestroi enët e shenjta dhe i la të lirë idhujtarët kundër besimtarëve. Ata dogjën lipsanet e nderuara të Pararendësit (7 janar) dhe të shën Eliseut (14 qershor), shkatërruan shtatoren e Zotit, që ishte një kushtim i shën Veronikës (12 korrik). Gjithashtu, iu dha leje hebrenjve të rindërtonin tempullin e tyre, por ata i ndaluan fatkeqësi vdekjeprurëse.
Më pas Artemi (greqisht do të thotë: i shëndetshëm) u dërrmua sepse nga një lartësi i hodhën një gur të rëndë, por të nesërmen u ngrit më këmbë edhe pse i tretur dhe i verbër! Iu pre koka (ndoshta më 20.10.362), pasi më parë ishte lutur që përndjekja të ndërpritej dhe dëgjoi se qysh atë çast do të kishte veti shëruese. Lipsani i tij u dërgua në Bizant.
Shëron në mënyrë të habitshme herniet. P.sh. të sëmurë të ndryshëm e ëndërronin duke i operuar, duke u bërë kryqin ose thjesht, duke u thënë se ishin të shëruar. Njëri që tallej me mrekullitë e tij, pësoi vetë hernie!
Shën Artemi në kohën e perandorit Konstand dhe me kërkesën e tij kishte transferuar lipsanet e shën Andreas dhe shën Lukait në kishën e Apostujve të Shenjtë në Konstandinopol. Tani në fund, disa besojnë se tjetër ishte duka i Aleksandrisë, Artemi dhe tjetër shenjtori ynë.